×
  • Lajme
  • Lajme / LAJMI I FUNDIT

    Lirohet nga Serbia zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

    Reporteri
    18 Prill 2024 | 21:57

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq është liruar nga autoritetet serbe.

    Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

    Në një postim MPJD-ja ka njoftuar se përfaqësuesi i zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari e ka konfirmuar lirimin e Jankoviqit dhe nisjen e tij për Kosovë.

    “MPJD njofton opinionin e gjerë publik se përfaqësuesi i zyrës së Republikës së Kosovës në Serbi, ambasadori Jetish Jashari, ka konfirmuar se zëvendësdrejtorit i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, sapo është liruar dhe ndodhet rrugës për në Kosovë”, ka njoftuar Ministria.

    Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë në një reagim ka thënë se të martën janë ndaluar katër policë të Kosovës, njëri prej të cilëve sipas MPB-së serbe është dërguar në mbajtje.

    MPB-ja serbe thotë se në mbajtje është dërguar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

    “Katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë ndaluar, njëri është dërguar në mbajtje – zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës”, ka thënë MPB-ja e Serbisë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan jankoviq.

    Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se zyrtarët policorë ishin ndaluar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, Dheu i Bardhë e Jarinjë, si dhe në një pikëkalim kufitar mes Serbisë dhe Kroacisë.

    “Zëvendësdrejtori i policisë vazhdon të mbahet në burg në Serbi”, tha Kurti, duke iu referuar Jankoviqit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!