×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Presidenti i Maltës: Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave

    Reporteri
    23 Tetor 2022 | 22:42

    Presidenti i Maltës, George Vella, deklaroi sot se vendi i tij do të vazhdojë mbështetjen e pakursyer për Kosovën në integrimet e saja euroatlantike.

    Ai gjatë një takimi sot me kryeministrin Albin Kurti theksoi se Malta mbështet plotësisht perspektivën evropiane të Kosovës.

    “Malta konsideron se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe është e gatshme që të ndihmojë Kosovën në anëtarësimin e mëtutjeshëm në organizata ndërkombëtare dhe me vendet mos-njohëse. Marrëdhëniet tona dypalëshe nuk kanë kufij”, tha Vella.

    Ndërsa kryeministri Kurti u shpreh falënderues për mbështetjen në kohë të vështira për vendin dhe mirënjohës për njohjen, përkrahjen në organizata ndërkombëtare, në veçantë gjatë procesit të anëtarësimit në Bankën Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të Maltës me Republikën e Kosovës.

    Ai e njoftoi presidentin Vella për qeverisjen dhe progresin në vend, indikatorët ekonomikë dhe arsyet se pse Kosova paraqet mundësi të mirë për investitorë të huaj.

    Duke iu referuar të dhënave mbi trendin pozitiv të eksporteve, kryeministri Kurti tha se Kosova synon të bëhet ekonomi dhe vend i orientuar drejt eksportit, ndërkaq duke iu referuar raporteve ndërkombëtare si ai i Transparency International, Reporterëve pa Kufi dhe Projektit të Drejtësisë Botërore (WJP) tha se imazhi i vendit është përmirësuar shumë.

    Kryeministri shtoi se marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Maltës duhet të shoqërohen me bashkëpunim edhe më të shtuar në fushën e ekonomisë dhe të shkëmbimeve tregtare, teksa theksoi edhe rolin e rëndësishëm që Malta mund ta luajë në raport me disa shtete mos-njohëse dhe integrimin e mëtejmë të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

    Në takim gjithashtu u diskutua edhe për bashkëpunimin rajonal, Procesin e Berlinit, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ballafaqimin me krizën evropiane energjetike dhe sigurinë e rajonit e të kontinentit pas agresionit të provokuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!