×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri për takimin Kurti-Vuçiq: Ky njeri nuk është i përgatitur për këtë proces, nuk ka ide, nuk ka vizion të qartë

    Reporteri
    19 Korrik 2021 | 15:17

    Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri e quajti të dëmshëm takimin e sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.


    Ai tha se Kurti po tregon se s’e ka seriozisht këtë proces, për faktin se në Bruksel shkoi nga Franca, ku ishte për të marrë pjesë në Festivalin e Filmit në Cannes.

    “Imagjino, kryeministri i vendit tonë për një takim me presidentin serb nuk udhëton nga Prishtina, por udhëton nga Festivali i Cannes. Mendoj se kjo e tregon joseriozitetin e këtij njeriu. Të shkosh në një takim kaq të rëndësishëm nga një festival, kjo e tregon më së miri papërgjegjësinë e këtij njeriu”, tha Tahiri.

    Ai tha se Kurti është i papërgatitur dhe se po e dobëson pozicionin e Kosovës në dialog dhe në raport me ndërkombëtarët.

    “Ky njeri nuk është i përgatitur për këtë proces, nuk ka ide, nuk ka vizion të qartë. Sot Kosova është pala e paarsyeshme në raport me miqtë tanë ndërkombëtarë”, tha Tahiri në konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

    Kryeministri Albin Kurti do të takohet sot për herë të dytë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Takimi i parë mes tyre u zhvillua më 15 qershor, kur procesi i dialogut, i cili u ndërpre në shtator të vitit 2020, rifilloi.

    Takimi i parë tregoi se palët kishin dallime të mëdha, megjithatë të dy krerët e dy shteteve u pajtuan që t’i vazhdojnë takimet.

    Siç njoftoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, bisedimet mes Kurtit dhe Vuçiqit do të përqendrohen në përparimin e arritur si dhe në hapat e mëtejmë në procesin e dialogut.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!