×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi i Presidencës

    Takimi me Hovenierin, Osmani: Serbia bëri shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe marrëveshjes për lirinë e lëvizjes

    Reporteri
    18 Prill 2024 | 17:30

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftimin e presidencës, thuhet se është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në vend, ku Osmani i ka potencuar ambasadorit Hovenier shkeljen serioze të të drejtave të njeriut dhe marrëveshjes për lirinë e lëvizjes nga ana e Serbisë, lidhur me ndalimin e djeshëm të qytetarëve në pikat kufitare serbe.

    “Temë e diskutimit ishin edhe përgatitjet që po bëhen si dhe koordinimi me aleatët në prag të mbledhjes së radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Kosova do të përfaqësohet nga Presidentja Osmani”, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Komunikata e plotë:

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier.

    Me këtë rast, Ambasadori Hovenier e ka përgëzuar Presidenten Osmani për një edicion të suksesshëm të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke vlerësuar përkushtimin e saj dhe të Kosovës për ta avancuar këtë agjendë në vend, si dhe në rrafshin ndërkombëtar.

    Në takim u diskutua po ashtu për zhvillimet e fundit në vend, ku Presidentja potencoi shkeljen serioze të të drejtave të njeriut dhe marrëveshjes për lirinë e lëvizjes nga ana e Serbisë, përmes ndalimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës në zonat kufitare dhe trajtimit të papranueshëm të tyre, si dhe arrestimet e paligjshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    Në takim gjithashtu u diskutua lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe për përgatitjet që po bëhen për mbarëvajtjen e procesit të votimit që do të mbahet këtë fundjavë në veri të vendit.

    Temë e diskutimit ishin edhe përgatitjet që po bëhen si dhe koordinimi me aleatët në prag të mbledhjes së radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Kosova do të përfaqësohet nga Presidentja Osmani.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!