Ndryshimet e kufijve të Kosovës 1945-1959

Autor: Mentor Tahiri


Pas përfundimit të luftës së dytë botërore, kur edhe (de-facto) formohet Federata e dikurshme e Jugosllavisë (fillimisht RPFJ, më pas RSFJ), kanë ndodhur eksperimentime territoriale dhe ndryshime të shumta të kufijve administrativ gati në të gjitha pjesët e Federatës. Gjithashtu është ndryshuar vetë struktura e hierarkisë së njësive të pushtetit lokal. Këto ndryshime kanë ndodhur me akte ligjore në nivel federativ dhe republikan në vitet 1945, 1947, 1949, 1952, 1955, 1959. Ndryshimet territoriale-administrative kanë afektuar edhe vetë kufijtë ndërmjet njësive federale (diku edhe me marrëveshje për ndërrimin e territorit), kurse në pozitën më të vështirë në këtë konstalacion ka qenë Kosova.


Statusi i brishtë i Kosovës pas luftës së dytë botërore, pothuajse ekzistent vetëm në letër, nuk ka precizuar kufijtë në nivel të Kosovës, por thjeshtë ky territor është nënkuptuar me kufijtë e rretheve (qarqeve). Kosova do të ketë territorin e saj të precizuar qartë, vetëm pas vitit 1963, kur edhe ngritët në statusin e Krahinës Autonome (sipas kufijve të rretheve në vitin 1959), një proces ky gradual i rritjes së shkallës së autonomisë i cili merr formë më të plotë në vitin 1974 me ndryshimet kushtetuese të atëhershme.

Sidoqoftë, pavarësisht ndryshimeve të shpeshta në ligjet që kanë afektuar ndarjen territoriale-administrative, jo të gjitha ndryshimet ishin të specifikuara në ligj. Kosova në këtë drejtim, deri në konsolidimin e tërësisë territoriale në vitin 1963 (sipas ligjit të vitit 1959), do të tkurret në disa pjesë kufitare. Bëhet fjalët për tre territore: 1. Terrenin malor dhe kullosat ngjitur me Rugovën, në opinion tani e njohur si “Çështja e demarkacionit me Malin e zi”; 2. Territori në jug të Komunës së sotme kadastrale të Restelicës në Komunën e Dragashit; 3. Territori pranë pikës së sotme kufitare me Serbinë në Mutivodë.

Ndryshimet e tilla janë legalizuar gati në heshtje dhe kanë marrë “zyrtarizimin” vetëm përmes ndonjë dokumenti i cili në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ka pasur të bëj me çështje të rregullimit territorial-administrativ, si p.sh me botimet me të dhëna nga Regjistrimi i Popullsisë. Këto ndryshime megjithatë janë “betonuar” me ligjin e vitit 1959, i cili ka përcjellë gjendjen faktike të kontrollit në terren. Mbi këtë gjendje më pas janë konsoliduar elemente që shpijnë deri tek mendimet e Komisionit të Badinterit lidhur me përcaktimin e kufijve të shteteve që kanë lindur pas procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë. Në rastin e “Çështjes së demarkacionit me Malin e zi”, pretendimet se kufiri duhet matur me hartën e vitit 1945, pësuan fatin e pretendimeve të ngjashme në pjesë të tjera të ish-Federatës.

Humbja e parë e madhe pa mbështetje në ndonjë akt ligjor, që ka pësuar Kosova kur bëhet fjalë për këto ndryshime të heshtura territoriale, është ajo 8.885 hektarëve, në jug të fshatit Restelicë. Ky territor, kryesisht i përbërë nga kullosat, në vitin 1945 i ishte lënë në shfrytëzim ndërmarrjeve të atëhershme shoqërore të Maqedonisë. Qysh në vitin 1948, pa një dokument të shkruar por thjeshtë me masa policore, blegtorëve nga Kosova u ndalohet qasja në këto kullosa. Ka një dokument të shkruar të datës 19 Nëntor 1948 kur lidhur me çështjet e këtij territori, autoritetet e atëhershme në Prishtinë ankohen tek autoritetet në Beograd.

Megjithatë, 8.885 hektarë më asnjëherë nuk do t’i kthehen Kosovës, respektivisht Rrethit të atëhershëm të Prizrenit, të cilit i përkisnin. Sot ky territor përbën një pjesë të territorit të Zonës Kadastrale të Vaut (Brodecit) në Komunën e Gostivarit. Përndryshe, në shkëmbimet e vitit 1948, autoritetet në Prishtinë ngrisin edhe çështjen e kufirit në drejtim të Popova Shapkës.

Kur bëhet fjalë për ndryshimet territoriale me anë të ligjeve, janë dy ligje që kanë efekt në ndryshimet e kufijve të Kosovës, ai i vitit 1947 dhe ai i vitit 1959.

“Ligji mbi ndarjen administrative” i datës 18 Prill 1947 (Gazeta Zyrtare e RPS-së 17/1947), merr nga Rrethi i Gjilanit dhe ia bashkëngjitë Rrethit të Bujanocit një serë fshatrash: Kijevë, Depcë, Sefer, Stanec, Caravajkë, Peçen, Maxherë dhe Ranatoc. Me të njëjtin ligj, me qëllim të eliminimit të shumicës shqiptare në Rrethin e Shkupit, Kaçaniku i bashkëngjitet Rrethit të Prishtinës. Me të njëjtin qëllim, dobësimin e shumicës etnike shqiptare në Rrethin e Kumanovës, Presheva i bashkëngjitet Rrethit të Bujanocit. Ndryshimet territoriale të vitit 1947 i japin formë Komunës së sotme të Preshevës, por në aspektin strategjik dobësojnë praninë shqiptare në Maqedoni dhe me anë të këtyre ndryshimeve realizohet një inxhiniering etnik në Rrethet e Shkupit dhe të Kumanovës, duke i hequr strukturës së popullsisë së këtyre rretheve një pjesë të madhe të popullsisë shqiptare.

“Ligji mbi territoret e komunave dhe rretheve” i datës 12 Dhjetor 1959 (Gazeta Zyrtare e RPS-së 51/59) do të ketë efekt në ndryshimin e kufirit në cepin verior të Kosovës. Me anë të këtij ligji, i hiqen Rrethit të Rashkës dhe i bashkëngjiten Rrethit të Zveçanit (Mitrovicës) këto fshatra: Beluçe, Berberishtë, Bistricë, Bare, Belo Bërdë, Borovë, Vraçevç, Guvnishtë, Krnjin, Zemanicë, Ishevë, Leshak, Miokoviç, Ostraç, Potkomnje, Rvatskë, Trebiçe, Çirkoviç, Crnatovë dhe Postenjë.

Territori i këtyre fshatrave është 197 m², respektivisht 36.5% e territorit të sotëm të Komunës së Leposaviqit. Në opinion shpesh bëhet fjalë se si Kosovës i është dhënë falë Leposaviqi. Megjithatë, përveç disa teksteve me burime të pa verifikuara, nuk ka asnjë dokumentacion zyrtar i cili dëshmon se pjesa më e madhe e Komunës së Leposaviqit ka qenë jashtë Rrethit të Zveçanit (Mitrovicës), së paku që nga ri-themelimi i këtij Rrethi pas luftës së dytë botërore. Ndarja e dikurshme administrative në segmentin Leshak-Leposaviq korrespondon me kufirin e dikurshëm Osmano-serb deri në vitin 1912, si dhe pikë-kalimin kufitar i cili gjendej në fshatin Dren.

Komuna e sotme e Leposaviqit në territorin aktual themelohet me “Ligjin mbi territoret e komunave dhe rretheve” të datës 12 Dhjetor 1959, ligj ky i cili ka hyrë në fuqi me 1 Janar 1960. Me këtë ligj, hiqen rrethet si njësi administrative, konfirmohen disa Komuna ekzistuese, kurse shumica e Komunave humbin statusin.

Sipas ligjit të ri të vitit 1959, nga dikur 65 komuna, territori i Kosovës (atëherë Rajoni Autonom i Kosovës-Metohisë) përbëhej nga 28 Komuna, e të cilat sipas emrave zyrtar të kohës ishin: Vitia, Vuçitërna, Gllogovci, Gjilani, Deçani, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Zubin-Potoku, Istogu, Zymi, Kaçaniku, Klina, Kamenica e Kosovës, Mitrovica e Kosovës (më vonë Mitrovica e Titos). Leposaviqi, Lipjani, Malisheva, Novo Bërda, Orllani, Rahoveci, Peja, Prizreni, Prishtina, Srbica, Suha Reka, Ferizaj dhe Shtërpca.

Pas vitit 1959 më nuk do të ketë ndryshime territoriale të Kosovës. Ndryshimet e vetme do të jenë ato të rregullimit të brendshëm territorial-administrativ. Në vitin 1966, do të shuhen gjashtë komuna të cilat ekzistonin sipas ligjit të vitit 1959. Do të shuhen Zubin-Potoku, Zymi, Malisheva, Novo Bërda, Orllani dhe Shtërpca. Pas kësaj Kosova do të ketë 22 komuna. Ky numër i komunave do të qëndrojë deri në vitet 80-të, kur për arsye politike kryesisht etnike do të formohen komuna të reja, sikurse ato në periferi të Prishtinës dhe të Mitrovicës.