Policia vendos 690 gjoba gjatë 24 orëve të fundit për personat që nuk mbajnë maskën

Policia e Shtetit tha se ka vendosur 690 gjoba gjatë 24 orëve të fundit për persona që janë parë ta maskën mbrojtëse, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.


Policia tha se gjatë kontrolleve në rrugët e qyteteve të vendit shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse edhe gjatë orëve të mbrëmjes.

Por janë ndëshkuar 523 qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat mbrojtëse dhe për këtë arsye, secili prej tyre është ndëshkuar me masën administrative me vlerë 3.000 lekë. Gjithashtu, nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë konstatuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 167 pasagjerë që janë konstatuar pa maska në automjete private (pa lidhje familjare me drejtuesin e mjetit) dhe pasagjerë pa maska mbrojtëse në mjetet e transportit publik.

Policia tha se gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 10 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.