×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Veliaj përgjigje “vere” opozitës: S’ju lejojmë të dëmtoni Tiranën

    Reporteri
    17 Mars 2019 | 22:50

    Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nga sheshi qendror i kryeqytetit, “Skënderbej” në çeljen e festimeve të Ditës së Verës, i dha një përgjigje opozitës për protestën e dhunshme të shtunën para Parlamentit.


    Ju drejtua qytetarëve pa dallime partiake, socialistë a të djathtë, duke thënë se ndryshimi nga dhuna e djeshme, dhe festa që përcjell sot Tirana, është i dukshëm. Tha se Tirana sot ka ngritur kokë dhe është pastruar nga punonjësit e Bashkisë.

    “Unë dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Tiranës që dje u distancuan nga aktet e dhunës, të zjarrit, të hurit dhe litarit dhe sot demonstrojnë atë që Tirana është vërtet. Tirana përtej të majtës dhe të djathtës, përtej PD dhe PS e do jetën e do shtetin, e do artin dhe kulturën. Ndaj dhe për këtë Tiranë edhe për fëmijët e këtij qyteti, që nuk ka fare rëndësi çfarë bindjesh kanë prindërit, po në këtë qytet punohet njësoj për të gjithë. Ndaj mesazhi që japim për Ditën e Verës është hajde të fokusohemi tek gjërat që na bashkojnë, hajde të fokusohemi tek një Tiranë që po bën progres, hajde të fokusohemi tek dashuria, paqja dhe jo për tu përçarë dhe dhunuar një qytet që mezi ne e ndërtojmë.Falënderoj ata që e gdhinë dje që Tirana të zgjohej sot xixë, që dolën në punë edhe pse ishin pushim. Tirana sot në vetëm pak orë nga shkatërrimi i djeshëm ka ngritur kokën, sepse kjo është Shqipëria e vërtetë. Të gjithë janë këtu me familjet e tyre, jo burrat e dhunshëm, por gra, fëmijë, gjyshe, nipër e mbesa, sepse kjo është Shqipëria e vërtetë! Sot, edhe mediat e huaja që janë në Tiranë dhe po ndjekin zhvillimet, kanë shansin të shohin Shqipërinë e vërtetë, Shqipërinë që do të ecë përpara, Shqipërinë që do të bëjë progres dhe Tiranën që gjithmonë e më shumë është qyteti i ëndrrave tona”, tha Veliaj, transmeton shqiptarja.

    Pas përfundimit të tubimit të opozitës, tashmë jo parlamentare, punonjësit e Bashkisë dolën në terren për të pastruar qytetin dhe të për rehabilizuar dëmet e pronave publike që u shkatërruan nga protestuesit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!