×
  • Lajme
  • Botë

    ​Greva në Francë në ditën e pestë, pezullohet transporti publik

    Reporteri
    09 Dhjetor 2019 | 17:20

    Transporti publik mbetet një nga sektorët më të prekur nga greva për reformën e pensioneve që Franca përjeton prej 5 ditësh.


    Sindikatat kanë njoftuar manifestime të reja të martën ndërsa qeveria mbetet e vendosur për planin e saj.

    Greva kombëtare kundër reformës së pensioneve në Francë hyri të hënën në ditën e pestë, dhe vazhdon të mbajë paralizuar jetën në vend.

    Banorë dhe turistë të kryeqytetit e gjetën veten këtë fillimjavë mes linjave të pezulluara të metrove dhe autobusëve, trafikut të rënduar dhe aktiviteteve të mbyllura që në këtë sezon festiv kanë prekur veçanërisht bizneset.

    ”Nuk është e drejtë t’u mohosh njerëzve transportin publik.

    E gjitha do u kthehet kundër. Po humbasim ditën e punës. Kjo nuk është normale.

    ”Qytetarët ndajnë qëndrimin se greva po ndërlikon veprimtaritë e 10 milionë banorëve të tjerë të Parisit, edhe pse aksioni i grevistëve është i drejtë. Sistemi i ri i pensioneve i propozuar nga presidenti Emanuel Makron fut parimin e pikëve për ditë pune për të thjeshtuar sistemin aktual me 42 nënndarje.

    Sindikatat druhen se në vitin 2025, reforma do të rritë artificialisht moshën e vjetërsisë në punë dhe do të shoqërohet me uljen e vlerës së pensionit.

    Javën e kaluar, kundër reformës së pensioneve manifestuan nëpër Francë rreth 800 mijë qytetarë.

    Demonstrata të tjera janë paralajmëruar për ditën e martë.Të mërkurën kryeministri i vendit, Eduard Filip, do të zbulojë detajet e fundit të reformës, por është shprehur se nuk do e tërheqë propozimin aktual.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!