×
  • Lajme
  • Botë

    Armenia dhe Azerbajxhani në prag të luftës, vriten edhe nëntë ushtarë e një civil në kufi

    Reporteri
    14 Korrik 2020 | 15:05

    Shtatë ushtarë të Azerbajxhanit, një civil dhe dy ushtarë të Armenisë janë vrarë të martën, në ditën e tretë të përleshjes së armatosur mes dy shteteve që e zhvilluan një luftë mes vete në vitet e nëntëdhjeta për shkak të rajonit malor, Nagorno-Karabakh.


    Komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar për përleshjen mes këtyre vendeve pjesërisht edhe për shkak të rrezikut për destabizilim në Kaukazin Jugor, rajon që shërben si korridor për naftësjellës dhe gazsjellës që e furnizojnë tregun botëror.

    Zyrtarët e të dyja shteteve thanë se përleshjet që filluan të dielën kanë vazhduar edhe të martën dhe shtetet e akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit dhe bombardim të palës tjetër, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

    Kerem Veliyev, zëvendësministrës i Ministrisë së Mbrojtjes në Azerbajxhan, tha se në mesin e të vrarëve janë një major-gjeneral dhe një kolonel.

    Në anën tjetër, Ministria e Brendshme e Armenisë njoftoi se të vrarë nga radhët e forcave të saj kanë mbetur një major dhe një kapiten. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Anna Naghdalyan, tha se qyteti Berd është bombarduar, por se forcat armene i kanë shkatërruar bazat e ushtrisë së Azerbajxhanit, nga të cilat u sulmua qyteti.

    Pas Shteteve të Bashkuara dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), thirrje për armëpushim të menjëherëshëm bëri edhe Rusia. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska është e gatshme të shërbejë si ndërmjetëse për ta zgjidhur këtë konflikt.

    Dy ish-republikat sovjetike për një kohë të gjatë kanë qenë në konflikt për shkak të kufirit, kryesisht në rajonin me shumicë armene, Nagorno-Karabakh, ndonëse përleshjet e reja ndodhën rreth rajonit Tavush, në verilindje të Armenisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!