Ashpërsohen masat në Francë: Shkollat mbyllen për tri javë, i gjithë vendi në izolim

Shkollat në Francë do të mbyllen për të paktën tre javë si pjesë e kufizimeve të reja në shkallë kombëtare për të luftuar rritjen e rasteve të koronavirusit – tha presidenti Emmanuel Macron. Ai tha se shkollat do të kthehen në mësimin online, duke filluar nga java e ardhshme.


Masat e bllokimit në disa zona të Francës , janë duke u shtrirë edhe në rrethet e tjera.

Të gjitha dyqanet jo thelbësore do të mbyllen dhe do të ketë një ndalim për të udhëtuar më shumë se 10 km nga shtëpia pa arsye urgjence.

Vendi po përballet me shifra të larta të infektimeve me mbi 5000 persona në kujdes intensiv.

Çfarë masash ka njoftuar Macron?

Në fjalimin e tij të drejtpërdrejtë në televizion të mërkurën, më 31 mars Z. Macron e përshkroi situatën në vend si “delikate” dhe tha se prilli do të ishte vendimtar.

“Ne do të humbasim kontrollin nëse nuk lëvizim tani,” tha ai.

Presidenti 43-vjeçar tha se ishte një garë midis vaksinimeve nga njëra anë dhe përpjekjeve për të kontrolluar përhapjen e virusit nga ana tjetër.

Z. Macron tha se masat e futura në 19 rrethe në fillim marsit – duke përfshirë mbylljen e bizneseve jo-thelbësore, lëvizjet e kufizuara për brenda 10 km nga shtëpia e një individi dhe ndalimin e udhëtimit në pjesë të tjera të vendit pa një arsye të vlefshme – do të shtrihen në të gjithë vendin.

Presidenti tha se “fundi i tunelit” po shihej nëse njerëzit respektonin masat e reja, raporton BBC.