×
  • Lajme
  • Botë

    “Brexit” nën kontrollin e parlamentit

    Reporteri
    26 Mars 2019 | 11:20

    Ligjvënësit anglezë i kanë dhënë një tjetër goditje kryeministres Tereza Mej, duke mos e konsideruar kabinetin e saj të aftë për të realizuar largimin e vendit nga Bashkimi Evropian. Nisma e fundit u përkrah nga 30 pjesëtarë të partisë së kryeqeveritares dhe tre ministra të kabinetit të saj, dhe rrit kontrollin e deputetëve mbi procesin e largimit. Të mërkurën ata pritet të votojnë për anulimin e procesit në tërësi ose për mbajtjen e një referendumi të dytë kundër Brexit.

    Parlamenti britanik ka votuar një amendament mbipartiak që u jep deputetëve më shumë fuqi vendimmarrëse për procesin e Brexit.

    Votimi me 329 vota pro dhe 302 kundër ishte një tjetër disfatë e pritur për kryetaren e qeverisë, Tereza Mej, e kritikuar nga të dyja palët politike për një ngërç politik që po zgjat prej muajsh.

    Menjëherë pas votimit, tre ministra të kabinetit qeverisës paraqitën dorëheqjen.

    Lideri laburist i opozitës, Xheremi Korbin, e përshëndeti marrjen e kontrollit të Brexit nga ligjvënësit, duke u shprehur se dështimet e qeverisë tanimë do të ndreqeshin nga ata vetë.

    Më herët, kryeministrja Mej i parapriu deputetëve rebelë nga radhët e saj duke thënë se marrëveshja aktuale me Bashkimin Evropian nuk mund të hidhej në votim për shkak të mbështetjes së pakët.

    “Vendi nuk ka për të dalë nga unioni evropian pa një marrëveshje. Por një largim i vonuar pas datës 22 maj do i detyronte qytetarët anglezë të merrnin pjesë në zgjedhjet evropiane, dhe ne do të humbnim kontrollin mbi kufijtë, ligjet, financat dhe marrëveshjet tona tregtare. E di që marrëveshja që ne propozojmë është një kompromis, por nëse ju e aprovoni, në më pak se dy muaj do të jemi jashtë BE-së”, tha Theresa May.

    Parlamentarët pritet sërish të debatojë opsionet e mundshme për Brexit ditën e mërkurë, ku në seancë do të propozohen disa alternativa për t’u votuar, mes të cilave revokimi i Brexit në tërësi dhe mbajtja e një referendumi të dytë kundër daljes së vendit nga Bashkimi Evropian.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!