×
  • Lajme
  • Botë

    CDU kundër “supershtetit” europian

    Reporteri
    11 Mars 2019 | 22:24

    Kristiandemokratët në Gjermani kanë dalë në favor të vizionit të presidentit francez për reformimin e Bashkimit Europian, por me ambicie të ndryshme se si kjo mund të arrihet. Kryetarja e CDU-së, Kramp-Karenbauer, trashëgimtarja e kancelares Merkel mendon se BE-ja duhet të heqë dorë nga ideja e institucioneve të përqendruara dhe t’i japë më shumë fuqi vendimeve sovrane të vendeve. Ndërsa palët pajtohen rreth ideve për sigurinë, mjedisin dhe sfidat financiare.


    Partia e kancelares gjermane Angela Merkel i ka pranuar disa nga propozimet kyç për reformimin e Evropës, të bëra një javë më parë nga presidenti Emanuel Makron.

    Megjithatë, kryetarja e CDU-së dhe kandidatja për kancelarinë e ardhshme, Anegret Kram-Karenbauer, e njohur shkurtimisht me siglën AKK, apeloi në fundjavë që t’i jepet fund idesë së një supershteti evropian dhe transferimit të pushtetit sovran të qeverive anëtare të BE.

    “Evropa nuk mund të jetë e fortë dhe e unifikuar nëse veprimtaritë e institucioneve evropiane kanë epërsi mbi përpjekjet e qeverive kombëtare. Centralizimi evropian, statizmi, komunitarizimi i borxheve dhe evropianizimi i shërbimeve shoqërore apo i pagesës minimale do të ishin qasje e gabuar. Janë shtetet anëtare ato që i japin legjitimitet demokratik Evropës dhe që formulojnë interesat e përgjithshme në nivel evropian.”

    Në shkrimin e botuar në mediet vendase me titull “Ta bëjmë Europën si duhet”, pasuesja e Merkel doli në krah të kreut të Elizesë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e kufijve të Evropës dhe sfidat me emigracionin apo ndryshimet klimatike.

    Kramp-Karenbauer kërkoi gjithashtu që të hiqet selia e dytë e Parlamentit Evropian në Strasburg, që shërbimi civil në Bashkimin Evropian të përfitojë nga taksa më të ulëta, dhe që vendet anëtare të mbështetin një treg të përbashkët bankar që do të financonte bizneset e tyre.

    Të hënën, zëdhënësi i kancelares Merkel tha se mendimet e shpalosura nga kryetarja e CDU-së janë të njëjta me ato që ndan edhe udhëheqësja e vendit, ndërsa zyra e presidentit francez i quajti ambicioze.

    Propozimet e fundit pasojnë ato që presidenti Makron u drejtoi 28 vendeve anëtare të BE-së vetëm pak javë nga zgjedhjet në Parlamentin Europian, dhe që pritet të diskutohen zyrtarisht në një konferencë në fundin e këtij viti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!