×
  • Lajme
  • Botë

    Gjukanoviq: BE nuk guxon ta lë Ballkanin Perëndimor në duar të Rusisë dhe Kinës

    Reporteri
    05 Prill 2019 | 15:39

    Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq në një intervistë për Associated Press ka thënë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është vendimtar, në mënyrë që ky bllok të mbrohet nga ndikimi në rritje i Rusisë dhe Kinës, transmeton Reporteri.net.


    Gjukanoviq ka thënë se iniciativa kaotike e Britanisë së Madhe për dalje nga BE dhe krizat e tjera, me sa duket e kanë zvogëluar entuziazmin për integrim të anëtarëve të rinj, por sipas tij Evropa nuk guxon ta lë këtë rajon strategjik në duar të lojtarëve të tjerë global.

    Presidenti properëndimor i Malit të Zi, i cili ishte vënë kundër Rusisë dhe e kishte drejtuar vendin e tij të vogël në NATO, siç e përshkruan AP, Gjukanoviqin, tha se Rusia dhe Kina kanë interesa legjitime në Ballkan, ku politikanët rusë shtrijnë ndikimin e tyre sidomos në Serbi, derisa Kina në ndërkohë investon shumë në infrastrukturë për të përforcuar pozicionin e saj në Evropën lindore dhe atë qendrore.

    Gjukanoviq pretendon se e ardhmja e vetë BE-së do të kërcënohet, nëse vendet e Ballkanit, të cilat në vitet 1990 kaluan një sërë luftërash mbeten ende prapa në reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE.

    “Alternativa është në të vërtetë shkatërrimi i Evropës”, tha Gjukanoviq duke shtuar se ai mendon se “Evropa duhet të mbrohet nga ky shkatërrim dhe duhet të njohë qartë interesat e veta strategjike”. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!