×
  • Lajme
  • Botë

    Së paku 60 viktima nga vërshimet në Afrikën Jugore

    Reporteri
    24 Prill 2019 | 17:14

    Së paku 60 njerëz kanë vdekur në rajonin KwaZulu-Natal të Afrikës Jugore për shkak të vërshimeve dhe rrëshqitjeve të dheut, të cilat u shkaktuan nga reshjet e vazhdueshme të shiut. Në mesin e viktimave është një foshnjë gjashtëmuajshe.


    Sipas presidentit të këtij shteti, Cyril Ramaphosa, i cili ka udhëtuar drejt këtij rajoni për t’i vizituar njerëzit e prekur, më shumë se një mijë banorë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme.

    Pjesët jugore dhe lindore të Afrikës Jugore janë goditur nga reshjet e mëdha të shiut gjatë ditëve të fundit. Meteorologët kanë paralajmëruar se vendi do të përfshihet nga erërat e fuqishme dhe vërshimet në zonat bregdetare gjatë ditëve të ardhshme, shkruan “BBC”, transmeton Express.

    Vërshimet e shkaktuara nga reshjet e shiut dëmtuan shumë biznese, shtëpi dhe të paktën dy universitete, ndërsa presidenti i Afrikës Jugore i ka vizituar familjet e viktimave.

    “Ishte e rëndësishme të vinim dhe të shihnim çfarë ka ndodhur. Shprehim ngushëllime për familjet e njerëzve që kanë vdekur në këtë fatkeqësi. Jemi të pikëlluar nga kjo ngjarje. Humbja e jetës nuk është asnjëherë e lehtë, sidomos kur është kaq e papritur”, tha ai.

    Dhjetëra njerëz të lënduar janë shtrirë në spital dhe ekipet e shpëtimit po i vazhdojnë kërkimet për njerëz që mund të kenë mbetur nën rrënojat e shtëpive të shembura.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!