Trump i dërgon një letër Kim Jong-ut, ky i fundit e quan “të shkëlquyeshme”

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un ka marrë një letër personale nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe e vlerësoi atë si “të shkëlqyeshme”, raportoi media shtetërore KCNA.


Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, një letër të tillë, pritet që Kim ta merr shumë seriozisht.

Në një raport të botuar herët të dielën në Azi, KCNA nuk dha detaje mbi letrën, por tha se Kim e përshkroi atë si “të përmbajtjes së shkëlqyer”.

“Kim Jong Un tha se ai do të mendonte seriozisht përmbajtjen interesante”, citohet të ketë thënë raporti.

Ai thuhet gjithashtu vlerësoi “guximin e jashtëzakonshëm” të Donald Trump, sipas BBC.

Megjithatë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk kanë dhënë ndonjë koment rreth kësaj, deri më tani.

Ajo erdhi pasi Donald Trump mori një letër të ‘bukur’ nga kreu i Koresë së Veriut javën e kaluar, e para që nga takimi i shkurtit në Hanoi të Vietnamit, ku ata “mbetën duar bosh”.

Një zyrtar i administratës e përshkroi letrën si një ‘urim ditëlindjeje’ dhe tha se Kim dëshironte që presidenti amerikan të kishte shëndet të mirë.

Bisedimet ndërmjet SHBA-së dhe Koresë së Veriut kanë ngecur që nga një samit i dështuar në shkurt midis Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut në Hanoi të Vietnamit.

Një zyrtar amerikan tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara nuk kishin parakushte për bisedime të reja, por se përparimi do të kërkonte hapa domethënëse dhe të verifikueshme të Koresë së Veriut për të braktisur programin e saj të armëve bërthamore.

Ndryshe, Trump pritet të vizitojë Korenë e Jugut javën e ardhshme për takimet me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, pas pjesëmarrjes në takimet e G20 në Japoni.