×
Art/Kulturë

“E gjithkohshmja Andërr” nga Donika Dabishevci, homazh poetik për viktimat e luftës

Autor:Donika Dabishevci
11 Mars 2024 | 15:03

Nga sot në librari mund ta gjeni librin më të ri të poetes Donika Dabishevci, “E gjithkohshmja Andërr” , botuar nga Shtëpia Botuese Littera, shkruan Reporteri.net. 

“Miq t’dashtun, jam e lumtun që po e ndaj me ju lajmin për botimin e librit tim të ri me poezi “E gjithkohshmja Andërr”, nga Littera, në t’cilin kam punu për nji kohë të gjatë, me shumë përkushtim, vullnet e pasion.

Lexuesit m’njohin si poete t’dashnisë, pasi dominante e poezive të mia është dashnia. Dashnia si synim jetësor, si përjetim, si gjendje, si përvojë, si legjitimim i vetë jetës, ekzistencës sonë. Edhe në këtë libër dashnia asht kryefjalë poetike. Frymon e pulëson n’secilën poezi, n’secilën strofë, n’secilin varg. Por, kësaj radhe – dashnia për jetën. Edhe në momentet ma t’randa, ma t’ errëta, ma t’mynxyrshme. Edhe në luftë!

Libri u kushtohet viktimave të luftës. Është rekuiem poetik për t’vrarët, t’masakruemit, t’dhunuemit, t’gjymtuemit, për t’therrunit e t’djegunit për s’gjalli. Për bebet e fmijtë e ndamë mizorisht prej jete. Për nanat mbetun qyqe n’themele shpijash t’rrënueme. Për nuset me duvak t’zi e shpirtnat e djegun t’jetimave. Për vorret pa emna e eshnat pa vorre…

Ka qenë e vështirë që tmerrin e luftës dhe gjithçka që ajo thërmon e përbinë në ingranazhet e saja me e nyjëtu poetikisht, t’parënduem emocionalisht e t’realizuem artistikisht. Distanca kohore, puna, leximet e rikthimet e shpeshta te çdonjana prej poezive, besoj, e kanë ba t’mundun këtë”, thotë autorja e librit, Donika Dabishevci.

Redaktor i librit, shkrimtari dhe studiuesi Gëzim Aliu, i cili ka shkruajtur parathënien e librit, ndër të tjera thotë:

Poetja e ka aftësinë që skenat, ngjarjet, storiet e rënda, të tmerrshme, të lemerishme, t’i krijojë estetikisht bukur, çfarë është shumë e vështirë, pothuajse e pamundshme. Trajtimi poetik i luftës, kur e njeh luftën, kur e ke përjetuar luftën, kur ende nuk e dimë a e kemi tejkaluar traumën e saj, është ripërjetim, edhe për poeten, edhe për lexuesit. Të futesh në pellgun e gjakut me mjete poetike, letrare, estetike, të dalësh, të rrëfesh, të shpëtosh, të bësh art, është madhështi shpirti. Donika e dëshmon madhështinë shpirtërore e mjeshtërinë letrare me “E gjithkohshmja Andërr”.

Për ballinën dhe dizajnin është kujdesur Arbër Murturi.

*Donika Dabishevci, poete dhe studiuese e njohur shqiptare, deri tashti ka botuar librat: “Krizantema të plasura”, proza poetike, Prishtinë, 1996, “Imazhe të brishta”, poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2004, “Proza e poetizuar – F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari”, studim monografik, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2015,

“Kam me ardhë si deka”, poezi, OM, Prishtinë, 2015, “Dashnisë së nji nate”, poezi, Bard Books, Prishtinë, 2020. “E gjithkohshmja Andërr”, poezi, Littera, Prishtinë, 2024. Të përkthyer: “La tua robinja” Essemble, Romë, 2017; “Ke stasam kako smrtta”, Rezna, Shkup, 2023 “Mi venos kvazaŭ la morto”, Kava Pech, Çeki, 2023./Reporteri.net/. 

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!