×
  • Lajme
  • Lajme

    30 të infektuar dhe 100 të izoluar nga Coronavirusi në KEK – flet u.d. drejtori Luigj Imeri

    Reporteri
    15 Korrik 2020 | 11:33

    30 punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), janë të infektuar me coronavirus, kurse 100 persona janë në izolim.


    Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, Luigj Imeri, për Reporteri.net. Por ai thotë se situata është nën kontroll brenda kësaj korporate.

    Imeri thotë se KEK-u ka pajisur të gjithë punëtorët me maska mbrojtëse.

    “Në KEK kemi gjithsejte 30 punëtorë si raste aktive të infektuar me coronavirus, kemi 10 kolegë tashme të shëruar nga infeksioni dhe rreth 100 të vetë izoluar. Bazuar në komunikimet tona të vazhdueshme me të infektuarit rezulton se gjendja e tyre është e qetë dhe me simptoma të lehta”, ka thënë Imeri për Reporteri.net.

    Ai më tej thotë se IKSHP ju kanë thënë se vetëm personat me simptoma mund të testohen.

    “Nga IKShPK, si institucion përgjegjës për dhënien e rekomandimeve në kohë pandemie, na kanë lajmëruar, se në bazë të strategjisë shtetërore për testime, vetëm personat me simptoma të COVID-19 (që vërtetohen nga mjeku në QKMF) mund të testohen, ndërsa personat që nuk kanë pasur kontakt të vazhdueshëm me të infektuarit nuk mund të cilësohen si persona të kontaktit dhe duhet të vijojnë punën duke i respektuar masat si bartjen e maskave dhe mbajtjen e distancës sociale”, thotë ai.

    Imeri pohon se KEK është duke vazhduar me gjurmimin e të gjithë punëtorëve që dyshohet të kenë pasur kontakte me personat e infektuar duke i udhëzuar që paraprakisht të vetizolohen duke shmangur kontaktet me familjarët dhe kolegët.

    “Në këtë drejtim, KEK-u dërgon rregullisht ne IKSHP kërkesat për testime, me listat e punëtorëve qe kane pasur kontakte të çastit me rastet e konfirmuara pozitive”, thotë ai.

    Ai thotë se KEK ka marrë masa për të parandaluar hapjen e virusit, ku përveç dezinfektimit të hapësirave, ka pajisur punëtorët me maska dhe një pjesë e stafit me probleme shëndetësore janë liruar.

    “Një nga masat e marra nga KEK-u, është dezinfektimi i rregullt i hapësirave në të gjitha njësitë prodhuese dhe po ashtu në autobusët që transportojnë punëtorët. Kontratat dhe buxheti për dezinfektim janë siguruar dhe janë urdhëruar të gjitha Shtabet e emergjencës/Zyrat e Sigurisë në Punë në të gjitha divizionet e KEK-ut të bëjnë dezinfektimin rregullisht. Përkundër vështirësive të mëdha për shkak të mungesave në treg medicinal, KEK-u ka arritur t’i pajisë të gjithë 4000 punëtorët e tij me maska mbrojtëse nga virusi. Më tej, janë liruar stafi me probleme shëndetësore, dhe është urdhëruar reduktimi qëndrimit në hapësira të përbashkëta. Stafi jo kritik për prodhim është obliguar të jenë në gjendje gatishmërie duke mundësuar që të gjitha operimet dhe proceset në të gjitha njësitë të funksionojnë pa pengesa”, thotë Imeri për Reporteri.net.

    Ai shton se përkundër situatës së vështirë, KEK po punon për të siguruar prodhim të pandërprerë të energjisë elektrike.

    “Menaxhmenti bashkë me punëtorët janë duke bërë përpjekje që edhe në këtë situatë të vështirë që po kalon vendi, të sigurojnë prodhim të pa ndërprerë të energjisë elektrike dhe qymyrit nga dy termocentralet dhe mihjet. Në këtë drejtim, KEK-u vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha masave mbrojtëse duke u bazuar në rekomandimet e IKSHP-së dhe vendimet e ndërlidhura nga Qeveria e Kosovës”, thotë Imeri. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!