×
  • Lajme
  • Lajme / Normalizimi i marrëdhënieve

    Abazoviq i bën apel Kosovës e Serbisë për një zgjidhje në dialog: S’mund të presim edhe 20 vjet tjera, duhet të jemi konkretë

    Reporteri
    29 Mars 2024 | 9:03
    Dritan Abazoviq

    Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka folur për mungesën e rezultateve konkrete në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Abazoviq bëri një apel për të dyja palët që të avancojnë drejt një marrëveshje përfundimtare.

    “I kemi humbur 20 vite, nuk mund të presim edhe 20 të tjera, por duhet të jemi konkretë. Unë e mbështes gjetjen e marrëveshjes përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës dhe i ftoj të dyja palët, qeveritë, udhëheqësit të ulen së bashku dhe të gjejnë zgjidhjen për të ardhmen e atyre njerëzve që jetën e tyre e shohin në rajon”, ka thënë Abazoviq.

    Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq  po ashtu ka thënë se vota kundër Kosovës e deputetit të Malit të Zi në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës reflekton realitetin e ri të shumicës në këtë shtet.

    “Gjatë mandatit tim, ne e mbështetëm tërësisht Kosovën. Por ky është realiteti i ri. Kjo ndodh sepse shumica është krijuar me parti që nuk ndajnë të njëjtin vizion, programe dhe vlera. Ata mendojnë se kjo mund të funksionojë, unë them të kundërtën”, ka theksuar ai në një intervistë për Euronews Albania.

    Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës të mërkurën ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

    Bëhet e ditur se dy vota kundër ishin të deputetëve të Serbisë, kurse nga një votë kundër ishte nga deputetët e Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi, kurse deputeti i Greqisë, Aleksis Cipras ka abstenuar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!