×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasada Britanike i përgjigjet reagimit të Vuçiqit, se si pranuan të takojnë Kurtin, ku ai prezantonte Kosovën me flamur të Shqipërisë

    Reporteri
    16 Tetor 2019 | 18:35

    Ambasada Britanike në Kosovë, është përgjigjur pas reagimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me takimin e ambasadorit britanik me Albin Kurtin në zyrën e këtij të fundit në parti, ku ishte i shfaqur vetëm flamuri shqiptar, por jo edhe ai i shtetit të Kosovës.


    Ambasada Britanike reagoi në Twitter duke thënë se nuk janë ata që zgjedhin se si dikush vendos ta dekoroj ambientin e zyrës së tij.

    “Një foto e fundit e Ambasadorit gjatë takimit me një nga liderët politikë në Kosovë ka tërhequr vëmendjen në rajon. Është detyrë e Ambasadës të punojë me aktorët kryesorë politikë në Kosovë. Ne nuk kemi zgjedhur se si bashkëbiseduesi ynë, në kapacitet partie, i rregullon ambientet e tij”, thuhet në reagimin e Ambasadës Britanike në Kosovë, shkruan reporteri.net.

    Sot gjatë ditës Vuçiq kishte bërë një reagim në Twitter duke pyetur ambasadorin britanik nëse Albin Kurti dhe Vetëvendosje i kishin fituar zgjedhjet në Kosovë apo në Shqipëri.

    “Pyetje për Ambasadorin. Cilat zgjedhje i ka fituar Kurti dhe partia e tij? Dhe cili flamur është pranë jush dhe Kurtit?”, kishte shkruar Vuçiq.

    Dihet se Kurti gjatë gjithë angazhimit të tij politik për rreth 15 vite, kishte proklamuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, dhe kishte kundërshtuar shtetin dhe simbolet e Kosovës.

    Megjithatë, ai gjatë fushatës së fundit zgjedhore, kishte premtuar se do t’i pranojë simbolet e shtetit të Kosovës, duke përfshirë edhe Përfaqësuesen e saj në futboll, të cilën gjithashtu më herët e kishte kundërshtuar.

    Së fundi edhe ishte parë në stadium, duke e përkrahur Përfaqësuesen e Kosovës, të cilën megjithatë e quajti vetëm ‘ekip’, por jo Përfaqësuese, e aq më pak Kombëtare. /reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!