×
  • Lajme
  • Botë

    Finlanda i bashkohet Polonisë dhe Baltikut, mbyll kufijtë për turistët rusë

    Reporteri
    30 Shtator 2022 | 23:52

    Që nga 30 shtatori, shtetasit rusë me viza turistike nuk do të mund të hyjnë në Finlandë.

    Kështu, ky shtet i bashkohet Polonisë, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, të cilat që nga 19 shtatori mbyllën kufijtë e tyre për shumicën e qytetarëve rusë.

    Shtetasit rusë me vizë Shengen, të cilët duan të lëvizin për qëllime turizmi, biznesi, sporti ose kulturore, nuk do të mund të hyjnë në territoret e këtyre vendeve.

    Shtetet që ndajnë kufirin me Rusinë – vendet baltike, Polonia dhe Finlanda – kanë bërë thirrje të parat për masa kufizuese në vizat turistike për rusët.

    Këto ndalime pasojnë sanksionet e shumta të ndërmarra kundër Rusisë, si përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës, i cili nisi më 24 shkurt.

    Ministri i Jashtëm, Pekka Haavisto, tha se vendimi synon të parandalojë plotësisht turizmin rus në Finlandë dhe rrugën transit përmes këtij vendi.

    Qeveria e arsyetoi vendimin duke përmendur shqetësimet e sigurisë në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë, referendumet “ilegale” të organizuara nga Rusia në katër rajone të Ukrainës, dhe atë që tha se ishte sabotim për dëmet e pësuara nga tubacionet Rrjedha Veriore në Detin Baltik.

    Finlanda veçse e kishte ulur numrin e vizave të lëshuara për qytetarët rusë në një të dhjetën e numrit të zakonshëm, para luftës, në shenjë solidariteti me Ukrainën.

    Por, deri në këtë vendim ajo ishte një nga rrugët e fundit tokësore lehtësisht të qasshme për në Evropë për turistët rusë drejt zonës Shengen.

    Më 31 gusht, Bashkimi Evropian pezulloi marrëveshjen për viza me Rusinë si një “hap i parë i domosdoshëm”.

    Për pasojë, rusët do ta kenë më të vështirë sigurimin e një vize dhe procesi do t’iu kushtojë më shtrenjtë.

    Vendet e BE-së nuk kanë arritur të pajtohen për një ndalesë totale për vizat turistike për rusët, meqë vendet anëtare janë të ndara në këtë çështje.

    Kievi i ka bërë thirrje BE-së që të ndalojë lëshimin e vizave për të gjithë rusët, përveç disidentëve politikë./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!