×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputeti i Vetëvendosjes thotë se gjendja me coronavirus në Kosovë është më e rëndë sesa raportohet

    Reporteri
    06 Gusht 2020 | 8:18

    Deputeti i Vetëvendojes, njëherit anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Fitim Uka, ka thënë se situata me COVID-19 në Kosovë është më e rëndë se ajo që raportohet.


    Edhe pse në Kosovë deri tash si pasojë e coronavirusit kanë vdekur 284 dhe vazhdimisht po raportohen më shumë se 200 raste të reja në ditë, sipas deputetit të Vetëvendosjes, gjendja reale është edhe më e rëndë.

    “Ju them me sinqeritetin e plotë dhe me keqardhje se situata është shumë më keq sesa paraqitet, e sa realisht mund ta imagjinojmë. Kjo edhe për faktin e thjeshtë se ne sot testojmë shumë më pak sesa është testuar dikur. Testimi është reduktuar vetëm në testimin e atyre që tregojnë simptoma të ashpra dhe anashkalohen kontaktet totalisht dhe gjasat janë të mëdha që të kemi numër shumë më të madh të të infektuarve, sesa që raportohen për çdo ditë. Kjo ka bërë që të mbingarkohen të gjitha institucionet shëndetësore në Kosovë”, ka thënë Uka, në KTV.

    Sipas tij, Qeveria e Kosovës është vetëm spektatore në luftën me pandeminë e coronavirusit.

    Ai ka thënë se “në kohën kur të gjitha shtetet ishin të izoluara, Kosova ishte model i mirë për menaxhim të pandemisë, ndërsa tash kur janë hapur, jemi modeli më i keq”.

    Sipas Ukës, shifrat alarmante të ditëve të fundit të të vdekurve dhe atyre të rasteve të reja me COVID-19 dëmtojnë shumë imazhin e Kosovës në botë.

    “Ne kemi qenë të zëshëm për të vënë në pah këtë formë të keqmenaxhimit që kushton edhe në imazhin e Kosovës dhe raportet që kanë shtetet tjera me ne dhe mënyrën si i trajtojnë qytetarët tanë. Imagjinoni vendet e rajonit si Mali i Zi kanë vendosur kushte për lëvizjen e qytetarëve tanë në atë drejtim dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian kërkojnë testim. Mbrëmë lexova edhe një lajm tjetër për një numër të lartë të shtetasve të Kosovës që kanë rezultuar pozitivë pas kthimit në Gjermani. Kjo i bën vendet e BE-së dhe të tjerat të marrin masa shtesë në raport me Kosovën dhe s’është aspak pozitive. por ajo që më shqetëson akoma më tepër është kjo lloj apatie që ekziston në mesin e Qeverisë. Pra Qeveria është kthyer në spektatore të gjendjes aktuale në Kosovë. Ajo po e bën rolin tuaj si gazetarë, raporton për numrin e të vdekurve e të infektuarve por s’ka veprime për të reduktuar këta numra e që do të reflektonte në një menaxhim më të mirë të situatës”, është shprehur Uka.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!