×
  • Lajme
  • Lajme

    “Erdhi dita e seancës”! Datat e mundshme të konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës

    Reporteri
    10 Dhjetor 2019 | 15:35

    Nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nisur të japin sinjale se mund të ketë në fund të kësaj jave një marrëveshje finale mes tyre për bashkëqeverisje.


    Diskutimet rreth saj ngecën kur LDK-ja kërkoi që patjetër të përfshihet edhe posti i presidentit në marrëveshje ose në të kundërtën dalin në opozitë.

    Ndërkaq, në VV mendonin se “presidenti duhet të diskutohet kur të përfundojë mandatin Hashim Thaçi” dhe kritikonin LDK-në se kërkoi edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

    Por, para se të ketë një qeveri e një president, duhet që fillimisht të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

    Bazuar në Kushtetutën e Kosovës ajo duhet të mbahet jo më larg se një muaj pas certifikimit të rezultatit zgjedhor. Në këtë rast i bie që duhet të mbahet më 26 dhjetor. VV i ka premtuar LDK-së edhe postin e kryeparlamentarit.

    Nëse nuk ka një marrëveshje deri atëherë, burimet e Reporterit thonë se ajo do të thirret por do të mbetet e hapur deri në votimin e Kryetarit, pasi pa një marrëveshje me LDK-në, VV nuk e jep propozimin se kush do të jetë kryetar i Kuvendit.

    Gjithashtu, burimet e Reporterit thonë se gjasat janë që edhe më 19 dhjetor të thirret seanca e konstituimit, pasi shpresohet se do të ketë marrëveshje të shpejt.

    Deputetët e rinj tashmë kanë nisur të regjistrohen.

    Emri më i përfolur për kryetar të Kuvendit ka qenë Vjosa Osmani, kandidate e LDK-së për kryeministre në këto zgjedhje. Për president, pas një viti pretendent kryesor është Isa Mustafa por është përfolur edhe emri i Lutfi Hazirit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!