×
  • Lajme
  • Lajme

    Escobar: ShBA’të e mbështesin plotësisht propozimin franko-gjerman për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë

    Reporteri
    19 Tetor 2022 | 20:54
    Gabriel Escobar

    Gabriel Escobar, i dërguari i Presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin plotësisht propozimin Francës dhe Gjermanisë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Sipas Escobar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës në integrimet euro-atlantike.

    Ai ka thënë se ShBA’të gjithmonë e kanë përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe se do ta mirëprisnin në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane.

    “Propozimi ynë është që çkado që këto shtete evropiane sugjerojnë nëpërmjet dialogut, duhet të merret seriozisht. Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike… Po, e mbështesim plotësisht. Dhe, më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane”, ka deklaruar Escobar në një intervistë për Kanal 10.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kuti, më 10 tetor, ka deklaruar se ekziston “një iniciativë franko-gjermane, e cila dëshiron që t’i japë edhe më shumë fuqi (të dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav) Lajçakut, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane”.

    “Diskutohen modele të ndryshme. Por, nuk ka diçka përfundimtare dhe aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozimi francezo-gjerman dhe rrjedhimisht ‘diskutojeni tash dhe jepni vërejtjet. Më shumë ka, si të them, ide që qarkullojnë, Berlin, Bruksel, Uashington, por edhe Londër, Romë e Paris, si dhe Beograd dhe Prishtinë”, tha Kurti dhe shtoi se për shkak të konfidencialitetit të bisedimeve, nuk mund t’i hedhë në opinion idetë, me të cilat testohen palët nga zyrtarët dhe diplomatët e ndryshëm./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!