×
  • Lajme
  • Lajme / Gjykata Themelore e Prishtinës

    Tomë Dodaj lirohet nga paraburgimi, i dyshuar në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

    Reporteri
    02 Maj 2024 | 12:09

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga masa e paraburgimit të dyshuarin për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

    Rastin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi. E njëjta ka sqaruar se i Tom Dodaj është liruar nga pasa e paraburgimit, por që ai nuk është liruar nga aktakuza, dhe i njëjti vazhdon të jetë në procedurë gjyqësore.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 23.04.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj. e cila masë iu është llogaritur nga data 28.04.2024 deri me 27.06.2024. Pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurit T.D, të paraqitur kundër vendimit të Gjykatës Themelore Prishtinë dhe kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Gjykata Supreme e Kosovës me datë 17.04.2024 ka marr vendim dhe ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës, ashtu që të pandehurit T.D i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe i njëjti është lëshuar të mbrohet në liri”, ka thënë Gashi për Reporteri.net.

    Në janar të këtij viti, Tomë Dodaj kishte deklaruar se Naim Murseli kishte blerë armë nga ai një ditë para vrasjes, dhe se kishte shtënë me të për ta testuar.

    Dodaj kishte mohuar të jetë i përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt, teksa pati theksuar se armën ia ka shitur për 280 euro.

    Dëshmia e Tomë Dodajt: Naim Murseli bleu armë, shtiu me një plumb për ta testuar para krimit

    30-vjeçarja me shtetësi suedeze u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Bërrnicë të Komunës së Prishtinës.

    Naim Murseli, dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij Liridonës, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës që ta kryente vrasjen.

    Ndërsa, i arrestuari tjetër në këtë rast, Kushtrim Kokalla dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.

    Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.” /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!