×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata e Apelit ka marrë vendimin për “kontestin” rreth Kryeprokurorit të ri, pritet shpejt shpallja e aktgjykimit

    Reporteri
    07 Shtator 2022 | 14:55
    Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

    Autor: Egzona Krasniqi


    Një turp gjykues i Gjykatës së Apelit ka marrë vendimin për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit, pas ankesës në këtë gjykatë nga kandidati Shqipdon Fazliu.

    Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se Apeli tashmë ka marrë vendimin për këtë rast, ndonëse aktgjykimi nuk është publikuar ende dhe pritet të ndodhë shumë shpejt.

    Siç merr vesh Gazeta Online Reporteri.net me burime brenda gjykatës, edhe vendimi i Apelit hedhë poshtë pretendimet e prokurorit Shqipdon Fazliu, në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, nga KPK’ja.

    Megjithatë, Nysret Arifi, administrator i Gjykatës së Apelit, i kontaktuar të mërkurën nga Gazeta Online Reporteri.net ka thënë se nuk ka ndonjë njoftim në lidhje me këtë rast.

    Shqipdon Fazliu bashkë me kandidatin tjetër për kryeprokuror Armend Hamitin, për të njëjtin rast ishin ankuar edhe në Gjykatë Kushtetuese, por Kushtetuesja në korrik të këtij viti e kishte shpallë të papranueshme kërkesën e tyre, pasi kishte vlerësuar se parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shterur të gjitha mjetet juridike. Rrjedhimisht, pas këtij vendimi, Fazliu u drejtua në Gjykatën e Apelit.

    Ndryshe, Këshilli Prokurorial i Kosovës qysh në fillim të prillit e ka përzgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit. Porse i njëjti pas kaq muajsh nuk është dekretuar nga Presidentja Vjosa Osmani, pasi siç dihet publikisht Isufaj nuk është kandidati i preferuar i pushtetit për këtë pozitë.

    Pretekst për mos dekretim, Zyra e Osmanit e ka përdorur kontestimin e procesit nga kundërkandidatët që e kishin çuar rastin në Kushtetuese. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!