×
  • Lajme
  • Lajme

    Hoti e Osmani nuk arrijnë ujdi për emrin e shefit të ri të AKI-së, Qeveria në detyrë heq dorë nga propozimet e reja

    Reporteri
    02 Mars 2021 | 19:48

    Autor: Mirlind Behluli


    Ka më shumë se dy muaj që Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka mbetur pa drejtor pasi Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, e liroi nga detyra Kreshnik Gashin, tashmë ish-drejtor i AKI-së. Edhe dy muaj e gjysmë pas këtij vendimi, intelegjenca kosovare ka mbetur pa udhëheqës.


    Më 17 dhjetor, kryeministri Hoti nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook tregoi se ka kërkuar lirimin nga detyra të shefit të AKI-së. Kjo pas një skandali në të cilin dyshohet se u përfshi Kreshnik Gashi, për nxjerrjen e kundërligjshme të disa dokumenteve nga kasaforta në zyrën së Presidentit.

    Edhe pas kaq shumë kohësh, ende nuk është emëruar pasardhësi i Gashit në këtë institucion.

    Megjithatë përpjekjet për ta gjetur një emër për shef të ri të AKI-së nuk kanë munguar, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    Por për emrin nuk kanë ra në ujdi kryeministri Hoti dhe u.d. e Presidentes, Vjosa Osmani, dikur bashkëpartiakë.

    Shefi i AKI-së emërohet në konsultim ndërmjet kryeministrit dhe presidentit, institucionet që momentalisht i udhëheqin Hoti e Osmani.

    Nga Qeveria e Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, treguan se kryeministri e u.d. e Presidentes kanë propozuar persona të ndryshëm për ta marrë udhëheqjen e AKI-së.

    E për shkak të mosdakordimit me Presidencën, Qeveria Hoti nuk do të bëj më asnjë propozim të ri për shef të AKI-së. Emërimin e drejtorit të AKI-së do t’i mbetet ta bëj qeverisë së re.

    “Kryeministri Hoti ka bërë një propozim për këtë post, ndërkohë u.d. e Presidentit ka bërë një propozim, për të cilin nuk janë dakorduar me kryeministrin. Nuk ka dakordim midis tyre për kandidaturat. Nuk ka ndonjë lëvizje pozitive në këtë drejtim. Nuk besoj se mund të ketë një vendim deri në formimin e qeverisë së re”, tha për Reporteri.net zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku.

    Gazeta ka kërkuar sqarime dhe informata edhe nga Kabineti i u.d. të Presidentes, Vjosa Osmani, në lidhje me çështjen e mos emërimit të shefit të ri të AKI-së. Por të njëjtit deri në momentin e botimit të këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje për Reporterin.

    Të heshtur ndaj kësaj situate janë treguar edhe vetë AKI-ja.

    Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka pyetur AKI-në nëse mungesa e drejtorit ka ndikuar në mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni. Por sikurse Presidenca, edhe AKI ka zgjedhur të mos përgjigjet në pyetjet e gazetës.

    Ndërkohë, nga burime, Gazeta Online “Reporteri.net” ka kuptuar se për pozitën e të parit të AKI-së janë përmendur emrat e Latif Merovcit, Vlora Hysenit dhe Burim Ramadanit.
    Merovci, dikur zëvendës drejtor i këtij institucioni i emëruar nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, i specializuar në fushën e inteligjencës, luftimin e terrorizmit e pastrimit të parave, për pak kohë kishte ushtruar detyrën e drejtorit të AKI-së pas dorëheqjes së Agron Selimajt.

    Vlora Hyseni, që tani ushtron detyrën e zv.drejtoreshës së AKI-së, e emëruar në këtë post nga ish-presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, siç mëson Reporteri.net vetë i ka shprehur synimet e saja për ta marrë në dorë udhëheqjen e këtij institucioni.

    Por kundërshtar e ka një kolegë të tij. Burim Ramadani, i emëruar nga Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Haradinaj në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së, është njëri nga emrat e përfolur për t’u bërë drejtor i të gjithë agjentëve të AKI-së.

    Ndërkaq njohësit e çështjeve të sigurisë vlerësojnë se procesi i emrimit të të parit të AKI-së është duke u politizuar.

    Drizan Shala, ekspert i sigurisë, ka thënë për Reporteri.net se politizimi i emërimit të drejtorit të inteligjencës kosovare e vë në rrezik humbjen e besimit në AKI-në.

    “Politizimi i procesit në veti paraqet rrezik deri të humbja e besimit në institucionin në fjale, sepse mos të harrojmë që vetëm për adaptimin në pozitën e drejtorit të ri duhet një interval kohor prej 5 muajve për të kuptuar dhe krijuar besimin e zyrtareve të institucionit.

    Kjo ndikon në punët e AKI-së në mënyrë të drejtpërdrejt. Pra U.D e Presidentit dhe Kryeministri në detyrë duhet që të emërojnë në këtë pozitë personin i cili është apolitik dhe profesional pa preferenca politike dhe duhet të vi nga shoqëria civile për të ruajtur profesionalizimin dhe kredibilitetin e këtij institucioni nacional”, tha Shala për Reporteri.net.

    Kohë më parë në media është përfolur emri i Florian Qehajës, ekspert i sigurisë, si i propozuar nga Osmani për shef të AKI-së. Por këto raportime i kishte mohuar vetë u.d. e Presidentes duke thënë se lajmet Qehaja është propozuar nga Osmani për shef të AKI-së janë të pavërteta.

    Sot janë bërë saktësisht 76 ditë që kur Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka mbetur pa drejtor të përgjithshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!