Ivica Daçiq i quan “banditë” liderët kosovarë

Kryetari i parlamentit serb dhe trashëgimtari i Millosheviqit në udhëheqjen e Partisë famëkeqe Socialiste Serbe, Ivica Daçiq, ka deklaruar se BE nuk ka asnjë autoritet “nëse çdo bandit që vjen në pushtet në Kosovë mund të thotë, nuk më intereson Marrëveshja e Brukselit”.


Me rastin e dokumentit të pretenduar “non-paper” dhe deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama se ai ka parë një hartë që parashikon ndryshimet e kufijve në Ballkan, ai ka thënë se “nuk e di se çfarë ka parë Rama. Shqipërinë e Madhe apo Serbinë e Madhe”, raporton Tanjug.

Daçiq ka pretenduar se “duket se të gjithë janë kthyer kah Shqipëria e Madhe, mirëpo atyre i pengon kur përmenden Republika Serbe dhe Serbia.

“Ne angazhohemi për Marrëveshjen e Dejtonit, duke ruajtur integritetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, barazinë e tre popujve dhe dy entiteteve dhe jemi kundër krijimit të Shqipërisë së Madhe. Ne jemi gjithashtu për ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë, e cila nuk është “copëtuar” nga ndonjë akt ndërkombëtar, sepse pavarësia e Kosovës nuk është njohur as nga Kombet e Bashkuara e as nga BE”, ka thënë Daçiq në një intervistë për “Al Jazeera”.

Në këtë kontekst, ai gjithashtu komentoi për mundësinë e vazhdimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, duke pretenduar se “nuk është e qartë për të se si do të ketë hapësirë për negociata nëse Prishtina refuzon Marrëveshjen e Brukselit”.

Ai pyeti se çfarë autoriteti ka BE, “nëse çdo bandit që vjen në pushtet në Kosovë mund të thotë, kjo nuk më intereson”.