×
  • Lajme
  • Lajme

    Kisha e papërfunduar në mes të kryeqytetit – Kujtim i së kaluarës së përgjakshme

    Reporteri
    02 Dhjetor 2021 | 10:16

    Agjensia e njohur franceze AFP, ka përgatitur një artikull për Kishën Ortodokse në Prishtinë, e cila nuk ka përfunduar asnjëherë.

    Kisha Ortodokse Serbe e cila është e papërfunduar në oborrin e Kampusit Universitar të Prishtinës, siç thonë kosovarët, është kujtim i së kaluarës së përgjakshme të Kosovës.

    Ajo është e ndërtuar në zemër të kryeqytetit të Kosovës, dhe sipas AFP-së, më shumë duket si një vend dremitjeje për qentë endacakë, sesa kishë në kuptimin e plotë të fjalës, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    Madje, kisha është tërësisht e mbuluar me barishte.

    Siç shkruan gazeta, ky simbol që ka mbetur në kryeqytet ka shërbyer si simbol i fuqishëm i mosmarrëveshjes së pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Kjo kishë duhet të shkatërrohet”, thotë Jahir Islami, një pensionist 77-vjeçar, duke përmendur kujtimet e dhimbshme të së kaluarës së përgjakshme të Kosovës kur tokat u ndanë përgjatë vijave etnike gjatë viteve të trazirave.

    AFP kujton se Kosova është shtëpia e disa manastireve më të nderuara të kishës ortodokse serbe. Fati i këtyre kishave dhe pakicës serbe në Kosovë, ka vazhduar të pengojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje midis dy palëve, që viteve të fundit kanë arritur pak përparim.

    Ndryshe prej manastireve me histori ortodokse, kisha e papërfunduar në Prishtinë i përket një historie më të re brutale.

    Sllobodan Millosheviq, që në Kosovë njihet edhe si “Kasapi i Ballkanit”, e lehtësoi ndërtimin e kësaj kishe në qytetin kryesisht shqiptar atëkohë, gjatë një goditjeje të përgjakshme ndaj komunitetit në Kosovë, e cila çoi në një luftë të shkurtër por shumë të egër në fund të viteve 1990, që përfundoi vetëm pas ndërhyrjes së NATO-s.

    “Ata jo vetëm që kanë kryer krime kundër trupave tanë, por kanë dashur ta fshijnë historinë tonë, të sulmojnë identitetin tonë dhe të zbatojnë projektin e tyre të spastrimit etnik të Kosovës”, tha Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku për AFP, transmeton Reporteri.net.

    Zyrtarë në Kosovë kanë akuzuar prej kohësh Beogradin për përdorimin e kishës ortodokse si përfaqësues, me klerin që vepron si emisarë në terren duke kryer vullnetin e Serbisë.

    Tensionet, siç shkruan AFP, janë rritur vazhdimisht rreth statusit të ardhshëm të kishave ortodokse të Kosovës që nga zgjedhja e kryeministrit Albin Kurti në vitin 2021.

    Pas luftës, Kisha Ortodokse Serbe ka tentuar në disa raste ta funksionalizojë, së fundi më 2016, por nuk është lejuar nga Komuna e Prishtinës, pasi u kërkua dokumentacioni për objektin.

    Për vite me radhë, trupat e NATO-s ishin pozicionuar jashtë shumicës së institucioneve ortodokse të Kosovës për të parandaluar dhunën.

    Por që atëherë, sulmet me motive fetare kanë rënë, me trupat e NATO-s që ruajnë vetëm Manastirin piktoresk të Visoki Deçanit në Kosovën perëndimore.

    “Ky është një tregues shumë i rëndësishëm se situata është shumë më e mirë se në të kaluarën”, u shpreh ish-komandanti i NATO-s në Kosovë, Franco Federiçi.

    Tensionet

    Progresi, argumenton qeveria e Kosovës, gjithashtu mbështet thirrjet e tyre për t’u njohur nga OKB-ja si palë sovrane përgjegjëse për katër kishat e listuara, në vend të Serbisë.

    Zyrtarët ortodoksë serbë refuzuan të komentojnë mbi këtë çështje kur u kontaktuan nga AFP.

    Por Beogradi ka hedhur poshtë çdo lëvizje të tillë për të ndryshuar status quo-në.

    “Ata duan ta paraqesin Kosovën si një oazë paqeje dhe Prishtinën, që ka nevojë të kujdeset dhe të mbrojë thesaret kulturore serbe”, tha Petar Petkoviç, shefi i zyrës së Serbisë për Kosovën.

    “Është një akt hipokrit i Prishtinës dhe një përpjekje për të mashtruar komunitetin ndërkombëtar”, shtoi ai, duke thënë se më shumë se 135 kisha dhe manastire janë shkatërruar që nga viti 1999.

    Pretendime të ngjashme janë bërë nga pala shqiptare, të cilët thonë se më shumë se 200 xhami janë dëmtuar ose shkatërruar nga forcat serbe në mes të periudhave të spastrimit etnik.

    Në qershor, anëtarët e Kishës Ortodokse Serbe mbajtën një liturgjie të rrallë fetare brenda kishës së papërfunduar, duke shkaktuar protesta dhe vandalizëm, duke përfshirë skalitjen e grafiteve që thoshin “Jezusi i urren serbët”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!