×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti flet për takimin me Lajçakun: Marrëveshja duhet të ketë njohjen reciproke në qendër

    Reporteri
    26 Janar 2023 | 11:20

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth takimit që ka zhvilluar mbrëmë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Ai ka thënë se marrëveshja duhet të ketë njohjen reciproke në qendër, në mënyrë që të ketë normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë.

    “Marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti, teksa ka folur edhe për marrëveshjet e arritura ndër vite me Serbinë.

    “Diplomacia fluturuese iu është bashkangjitur edhe takimeve të nivelit të lartë për propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i ka pesë fjali në preambulë dhe 10 nene gjithsej. Kur e patëm marrë ne atë më datën 9 shtator, patëm thënë që është bazë e mirë për diskutimet e mëtutjeshme, është një kornizë e platformë dhe e cila na mundëson që të ecim përpara, mirëpo nevojitet një proces negociator i bisedimeve, në mënyrë që ai propozim të bëhet marrëveshje. Ajo se çfarë ne theksojmë është që në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj një marrëveshjeje tjetër”, ka thënë Kurti, siç raporton Ekonomia Online.

    I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas një darke pune që pati mbrëmë me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, tha se se me ta pati diskutime të hapura dhe intensive. Lajçak tha se me Kurtin e Bislimin u dakorduan për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara.

    “U ktheva në Kosovë sot për t’i vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Bisnik Bislimin, për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu u dakorduam që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të zbatohen plotësisht”, shkroi Lajçak.

    Lajçak pas takimit me Kurtin e Bislimin: U pajtuam për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!