×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti publikon emrat e organizatorëve kryesorë dhe grupeve kriminale që qëndrojnë pas trazirave në veri

    Reporteri
    02 Qershor 2023 | 11:38

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se rolin kryesor në organizimin e protestuesve në terren janë duke e kryer anëtarët e formacionit ilegal të së ashtuquajtur “Mbrojtje Civile” dhe ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ku është parë prezencë e madhe e tyre në terren, gjatë fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit të Kosovës, njofton gazeta online Reporteri.net.

    Kurti tha se me këto protesta, me gjithë dashakeqësinë e tyre, “neve na kanë shërbyer që të bëjmë identifikimin e tyre”.

    “Millorad Jeftiq është njëri nga drejtuesit e këtij formacioni ilegal, shtëpia e tij në Zveçan është shndërruar në bazë qëndrimi të drejtuesve të kësaj organizate ilegale. Gjithashtu ka prezencë të madhe të përfaqësuesve të Listës Serbe në atë shtëpi. Ata janë duke punuar në mobilizimin e strukturave atje, për prezencë sa më të madhe para objekteve komunale dhe duke orkestruar sulme të ardhshme”, tha Kurti.

    “Niçko Jevtiq, pjesëtarë i formacionit ilegal, të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile në Zveçan”. Bashkë me të, Rajko Jevtiq, ish-këshilltar i Listës Serbe në Zveçan dhe ish-drejtor në Komunën e Zveçanit, babai i Miçko Jevtiq. Danillo Josifoviq, i njohur me nofkën “Përki”, gjithashtu pjesëtar i formacionit ilegal, të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile”. Liliana Aksintieviq, zëvendësuesese e kryetarit të ashtuquajtur “Organ i Përkohshëm” në Zveçan, ka urdhëruar të gjithë punëtorët e komunës ilegale të Zveçanit që në 06:30 të dalin para komunës”.

    Kurti tha se personat e maskuar janë të udhëhequr nga ish-kapiteni i Policisë së Kosovës, Aleksandër Filipoviq, “që shtirej së është integruar në shtetin tonë”.

    “Ky është personi kryesor që po i drejton ata. Më 29 maj të këtij viti, ka rrahur një qytetar serb në Leposaviq, pasi që ai ka qenë duke incizuar me telefon. Personat e maskuar që ishin pjesë e protestës së dhunshme në Zveçan janë: Nikolla Agjiq, ka hedhur koktej molotovi në Zveçan dhe është pjesëtar i organizatës kriminale serbe “Severna Brigada”; Millan Zhivkoviq, po ashtu pjesëtar i të njëjtës organizatë; Danillo Krivokapiq, Jovica Llazoviq; Nikolla Radimiroviq; vëllezërit Stefan dhe Dejan Nedelkoviq”, deklaroi kryeministri.

    “Kjo organizatë kriminale, në rrjetet sociale ka postuar lajm se pjesëtarë të grupit merecenarë rus “Wagner”, kanë arritur në Kosovë. Po ashtu i njohur me lidhjet e këtij grupi mercenar rus është edhe Damjan Knezheviq, i cili e drejton organizatën djathtiste “Patrollat e Popullit”. Ky ka paralajmëruar ardhjen e një grupi prej 50 personave serbë në Kosovë. Damjan Knezheviq dhe organizata e tij organizuan protestën e 18 dhjetorit, të vitit të kaluar në Jarinjë, me ç’rast u identifikuan shumë persona me simbole ekstrmiste ruso-serbe”, u shpreh tutje Kurti. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!