×
  • Lajme
  • Lajme

    Një muaj paraburgim për kosovarin që tentoi ta vrasë gruan duke e hedhur nga dritarja

    Reporteri
    08 Maj 2019 | 14:13

    Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarit B.A shtetas i Republikës së Kosovës, pasi dyshohet se ka dashur ta vrasë gruan e tij.


    Në njoftim, thuhet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    “I pandehuri dyshohet se më 6 maj 2019, në shtëpinë e tij në fshatin Komogllavë – Komuna Ferizaj, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarën – bashkëshorten e tij K.A, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të gjatë mes vete, i pandehuri fillimisht ka përdorur dhunë fizike ndaj saj duke e goditur me shuplaka fytyrës dhe ashtu në përleshje e sipër nga dritarja e dhomës së katit të I-rë të shtëpisë e ka hedhur për tokë, ku si pasojë e njëjta nga kjo hedhje ka pësuar lëndime trupore e që tani është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal në Gjilan”, thuhet në komunikatë.

    Në komunikatën e Gjykatës Themelore në Ferizaj, gjithashtu theksohet se gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të rënda, Ibrahim Idrizi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!