Numër i vogël i seancave të Kuvendit, deputetët mund të heqin dorë nga një pjesë e pagës

Që nga zgjedhja e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës janë zhvilluar 13 seanca.


Seanca e parë u zhvillua me 26 dhjetor kurse e fundit ishte me 14 prill. Seanca e 26 dhjetor pati tri pika të rendit të ditës: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Dhënia e betimeve të deputetëve si dhe zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Kurse seanca e 14 prillit pati një pikë të rendit të ditës: Propozimi dhe miratimi i masave konkrete ekonomike e financiare që duhet t’i ndërmarrë Republika e Kosovës për t’i tejkaluar sfidat e rimëkëmbjes ekonomike në adresimin e pasojave të pandemisë COVID-19.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e patën edhe më të pamundur zhvillimin e seancave të rregullta si pasojë e përhapjes së këtij virusi.

I kontaktuar nga Indeksonline, Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka deklaruar se deputetët që nga dita e konstituimit të Kuvendit e deri në përfundim të mandatit realizojnë pagën e deputetit.

“Ndërsa për pjesëmarrje në seanca plenare dhe në mbledhje të komisioneve paguhen varësisht prej numrit të seancave ose komisioneve të mbajtura”, shtoi ai.

Lidhur me gjithë këtë, Indeksonline ka kontaktuar Albert Krasniqin, analist si dhe Njohës i Çështjeve të Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi deklaroi se përgjatë këtij viti Kuvendi ka hasur në vështirësi të natyrave të ndryshme të cilat e kanë penguar për të kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme.

Së pari ishte vonesa në zgjedhjen e qeverisë së re, e cila ndodhi në fillim të muajit shkurt si dhe e dyta ishte konfirmimi i rasteve të para me COVID-19 në muajin mars, që reduktoi edhe më ndjeshëm aktivitetet e Kuvendit.

“E treta, ishte shkarkimi i qeverisë përmes mocionit të mosbesimit në fund të muajit mars. Të gjitha këto zhvillime politike dhe jo vetëm, kanë ndikuar negativisht në produktivitetin e punës së Kuvendit dhe mos përmbushjen e mandatit të tij”, tha ai.

Sipas Krasniqit deputetët duhet të jenë më insistues në ushtrimin e mandatit të tyre, pavarësisht situatave politike dhe se duhet të përmbushin rolin përfaqësues të qytetarëve.

“Këtë mund ta bëjnë përmes takimeve virtuale në platformë të ndryshme që sot ofrohen. Pastaj, komisionet parlamentare do të duhej të përkujdeseshin për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, pasi ka pasur tendenca të kufizimit të tyre në mënyrë arbitrare dhe jashtë autorizimeve ligjore të qeverisë. Dhe përmes seancave plenare, Kuvendi si tërësi do të duhej të ishte në ndihmë të qeverisë për të luftuar pandeminë, pavarësisht që qeveria është në detyrë. Miratimi i ligjeve të veçanta për pandeminë, pastaj shqyrtimi i pakove ekonomike të cilat kërkojnë ndryshime ligjore do të duhej të ishte prioritet i Kuvendit për t’u dal në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve të prekura”, shtoi Krasniqi

Sipas tij mos-zhvillimi i seancave plenare dhe mbledhjeve të komisioneve ndikon edhe në të hyrat mujore të deputetëve, pasi nuk do të kompensohen për këto mbledhje duke marrë vetëm pagën bazë.

“Deputetët do të mund të hiqnin dorë vullnetarisht nga një pjesë e pagës së tyre – siç kanë bërë disa – për t’u solidarizuar me punëtoret të cilët kanë humbur vendet e tyre të punës. Mirëpo kjo është më shumë çështje simbolike sesa do të kishte ndonjë ndikim direkt. Ajo çfarë do të ishte më e rëndësishme të bënin deputetët, është sikur përmes pakove ekonomike t’u dilnin në ndihmë qytetarëve në nevojë. Kjo do të bënte ndryshimin e vërtetë”, theksoi Albert Krasniqi.

I pyetur se si e sheh punën e ardhshme të kësaj legjislature, Krasniqi theksoi se puna do të varet prej zhvillimeve politike të cilat do të pasojnë pasi Kushtetuesja të nxjerrë aktgjykimin lidhur me dekretin e kontestuar të Presidentit për mandatarin për formimin e qeverisë.

“Nëse LVV dhe PDK do mbeten në opozitë, Qeveria e ardhshme do të përballej me një opozitarizëm të fortë me të cilët do të duhej të bënte shumë kompromise për të shtyrë përpara programin e saj. Ndonëse, LVV do të ishte në Kuvend pa figurat kryesore të saj. Po ashtu, nëse partitë opozitar do të ndiqnin një qasje destruktive, mund të shohim situata të bllokimit të punës së Kuvendit”, përfundoi ai.