×
  • Lajme
  • Lajme

    Nurellari: Kronika për Këshillin Qendror të VV si e kohës së komunizmit ku udhëheqësi flet brenda “Dhomës së Jehonës”

    Reporteri
    27 Shtator 2020 | 21:27

    Këshilltari i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adri Nurellari, ka komentuar mbi Këshillin Qendror të Lëvizjes së Vetëvendosje të mbajtur sot.


    Në postimin e tij në Facebook ai ka kritikuar kronikën e lajmeve të RTK-së për këtë ngjarje, të cilën e ka krahasuar me lajmet e RTSH-së gjatë regjimit komunist për sa i përket tonit propagandistik si dhe hapësirës ekskluzive që i ishte dedikuar.

    Mandej Nurellari në tekstin e tij e ka quajtur fjalimin në distancë të liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti si një manifestim të një politikani në “Dhomën e Jehonës”.

    Ai shpjegon se në “shkencat sociale shprehja dhomë e jehonës përdoret shpesh si metaforë për të përshkruar një situatë në të cilën bindjet apo qëndrimet përforcohen nga komunikimi dhe përsëritja brenda një sistemi të mbyllur që nuk lejon prezencën e mendimeve alternative apo kundër-argumenteve.”

    Më tutje ai thekson se fjalimi i Kurtit ishte rasti tipik i një politikani delirant të mbyllur në një dhomë që është e izoluar nga zërat që vijnë nga jashtë, dhe ku e vetmja gjë që dëgjohet është jehona e zërit të tij të cilën ai e trajton si rikonfirmimin e vërtetim të asaj që ai vetë ka thënë.

    Postimi i tij i plotë në Facebook i Nurellarit:

    Lajmet në RTK sot janë dukur si revista e lajmeve të RTSH-së gjatë epokës së regjimit komunist duke filluar me një kronikë të zgjeruar të udhëheqësit të partisë i cili sypatrembur vërsulet e sulmon armikun e brendshëm dhe të jashtëm.

    Dikur në kohën e komunizmit në Shqipëri Radio Televizioni Shqiptar shërbente si njëra prej levave kryesore me të cilën bëhej propaganda dhe nëpërmjet tij shpaloseshin direktivat e Komitetit Qendror të PPSH-së. Sot krijohej përshtypja e njëjtë me peshën që i jepej Këshillit Qendror të partisë politike Lëvizja Vetëvendosje dhe retorikës pompoze denoncuese të liderit të saj.

    Ajo që të binte menjëherë në sy në fjalimin e tij në distancë, pa prezencë të pjesëtarëve të tjerë të strukturave partiake, ishte fakti që paraqiste një rast klasik të politikanit të mbyllur në të ashtuquajturën “Dhomë të Jehonës”.

    Në shkencat sociale shprehja dhomë e jehonës përdoret shpesh si metaforë për të përshkruar një situatë në të cilën bindjet apo qëndrimet përforcohen nga komunikimi dhe përsëritja brenda një sistemi të mbyllur që nuk lejon prezencën e mendimeve alternative apo kundër-argumenteve.

    Përdoret ky term shpesh për të treguar rastin delirant të një politikani të mbyllur në një dhomë që dëgjon vetëm jehonën e zërit të vetë të përplasur brenda mureve të dhomës që është kthyer prapa. Mandej vetëkënaqet me këtë jehonë të zërit të tij që ai dëgjon dhe e trajton si rikonfirmim apo vërtetim të asaj që ai vetë ka thënë.

    https://www.facebook.com/adri.nurellari/posts/10158483621221830

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!