×
  • Lajme
  • Lajme / Mobilizimi për zgjedhje

    PDK i kthen në Kryesi deputetët dhe kryetarët e komunave, vend të rëndësishëm i jep edhe aderimit më të ri

    Reporteri
    28 Mars 2024 | 21:30

    Partia Demokratike e Kosovës e ka marrë shumë seriozisht mobilizimin për zgjedhjet e ardhshme nacionale. Në kuadër të këtij mobilizimi, PDK-ja ka ristrukturuar organet drejtuese.

    Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës në të cilën ka zgjedhur Kryesinë e re.

    Shumë ndryshime janë vërejtur në përbërjen e Kryesisë së re të PDK-së.

    Në kuadër të vendimit të fundit të Këshillit Drejtues për fillimin e organizimit për zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës, PDK ka vazhduar mobilizimin e tërë potencialit të saj në të gjitha nivelet e organizimit partiak.

    Kandidati për kryeminsitër të Kosovës nga kjo parti Bedri Hamza është zgjedhur nënkryetar i PDK-së, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Edhe dy kolegët e tij, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj dhe ai i Ferizajt, Agim Aliu janë zgjedhur nënkryetarë partie.

    Ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati po ashtu është zgjedhur nënkryetare.

    Edhe kryetari i degës së Prishtinës, Uran Ismaili do të jetë nënkryetar i PDK-së.

    Po ashtu një pozitë nënkryetari e ka marrë edhe Mimoza Ahmetaj.

    Bajrush Xhemaili ështl zgjedhur Sekretar për Politika Programore duke ia lëshuar pozitën e sekretarit të Përgjithshëm, Vlora Çitakut, që deri më sot ka qenë nënkryetare e PDK-së.

    Kurse shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Ableard Tahiri është zgjedhur Sekretar për Organizim dhe Zgjedhje.

    Bernard Nikaj, nga anëtarë kryesi është zgjedhur Sekretar për Marrëdhenie Ndërkombëtare.

    Betim Gjoshi, është zgjedhur Sekretar për Anëtarësi dhe Financa.

    Enver Hoxhaj është lnë vetëm anëtarë kryesie.

    Edhe përforcimi më i ri i PDK-së, ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama pak ditë pasi u prezantua si anëtar i PDK-së, u bë pjesë e kryesisë së re.

    Në kryesi kësak radhe do të jetë edhe Jakup Nura dhe  Sokol Bashota

    PDK ka gjetur një vend në kryesi edhe për ish-deputeten  Evgjeni Thaçi – Dragusha, mbesa e ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Po ashtu pjesë e kryesisë do të jetë edhe Nexhat Demaku  dhe Besa Kabashi – Ramaj.

    Zenun Pajaziti e Valdete Idrizi  janë prej të paktëve që kanë qenë pjesë e kryesisë dhe që do të jenë edhe në kryesinë e re.

    Në kryesinë e kaluar nuk kanë qenë asnjëri nga deputetët që sot janë zgjedhur anëtarë si:  Elmi Reçica, Mërgim Lushtaku, Ferat Shala, Eliza Hoxha, Ganimete Musliu. Blerta Deliu/Kodra. Ariana Musliu/Shoshi. Floretë Zejnullahu.

    Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Blerand Stavileci, Muhamet Haliti, Luljeta Guta-Veselaj, Safete Hadërgjonaj, Kujtim Gashi do të jenë sërish pjesë e kryesisë/

    Pjesë e kryesisë do të jetë edhe këngëtari Genc Prelvukaj.

    Të rinj në këtë përbërje do të jenë edhe Kurtan Kajtazi,  Bekim Azizi, Përparim Gruda, Arben Mustafa, Aurora Osmani – Buca  dhe  Arbnora Salihu, Kryetare e RDK e re

    Adri Nurellari do ta drejtojë  Institutit për Studime dhe Analiza kurse Naim Ismajli do të jetë Drejtor Ekzekutiv i PDK-së.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se kjo rritje e dinamikës së punës dhe vendimeve të rëndësishme partiake, është pjesë e krijimit të ofertës më të mirë për qytetarët, për të rikthyer besimin e tyre dhe për t’i dhënë vendit, pas zgjedhjeve, një Qeveri të re që e rikthen Kosovën në binarët e zhvillimit, integrimit dhe perspektivës për të gjithë.

    “Bedri Hamza është Kryeministri që sot i duhet Kosovës. Sot është koha për të mbledhur në një vend të gjitha potencialet e vendit tonë, për t’i dhënë Kosovës një qeveri të re, kompetente, vizionare dhe që mendon për secilin qytetar. Një qeveri që udhëheqë me modesti e pa arrogancë, me frymë ekipore e gjithëpërfshirëse. Dhe në këtë drejtim, do të bashkëpunojmë me të gjithë ata që dëshirojnë t’i japin Kosovës një drejtim të ri” ka thënë Kryetari Krasniqi.

    Kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, para anëtarëve të Këshillit Drejtues tha se beson në forcën dhe fitoren e PDK-së.

    “Ky është nderi më i madh në jetën time, rrjedhimisht, përgjegjësia më e madhe në jetën time. Falënderoj Kryetarin Krasniqi për besimin dhe të gjitha strukturat e partisë për mbështetjen. Sot, para jush dhe para qytetarëve të Kosovës, ju them se jam tërësisht i gatshëm që të zotohem se, me të gjitha kapacitetet e mija profesionale dhe personale, do të jap maksimumin për suksesin e PDK-së në zgjedhjet e përgjithshme. Unë besoj në forcën e PDK-së. Unë besoj në fitoren e PDK-së”, ka thënë Hamza.

    Gjatë kësaj mbledhje, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës i dha mbështetjen e parezervë Kryetarit, Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe të gjitha strukturave tjera partiake, për të ofruar alternativën më të mirë qeverisëse e cila nxjerr vendin nga pozicioni i pafavorshëm në të cilin ndodhet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!