×
  • Lajme
  • Lajme / Thirrja për zgjedhje të parakohshme

    Për PDK-në 30 maji data e fundit për shpërndarjen e Kuvendit, LDK dhe AAK duan fillimisht dorëheqjen e Kurtit

    Reporteri
    26 Maj 2024 | 11:11

    Partia Demokratike e Kosovës ka theksuar vazhdimisht mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu në të enjten e fundit të këtij muajit, më 30 maj, por pavarësisht thirrjes së vazhdueshme, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fillimisht kanë kërkuar që kryeministri Albin Kurti të dorëhiqet, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Nga kjo parti opozitare, kanë propozuar edhe datat për këto zgjedhje, që janë 30 qershori ose 7 korriku.

    Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dy ditë më parë u dërgoi edhe letër krerëve të partive tjera opozitare, përfshirë këtu edhe kryetarin e VV-së, Albin Kurtin.

    Në këtë letër, i pari i PDK-së ka theksuar nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme.

    “Në takimet e fundit që i kam zhvilluar me secilin lider të këtyre partive parlamentare, kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkret”, ka thënë Krasniqi.

    Sipas Krasniqit, Kosova ka nevojë për një qeveri të re që fokusohet në zhvillimin ekonomik, mirëqenien qytetare dhe integrimin euro-atlantik.

    Mirëpo, në deklaratën e tyre zyrtare, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se fillimisht duan që Kurti të dorëhiqet dhe se një gjë e tillë është e padiskutueshme.

    Siç edhe kishin thënë “Kurti po e sheh opozitën si shpëtim individual”.

    E, ditën e djeshme, i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se janë të gatshëm për këto zgjedhje të parakohshme, vetëm nëse kryeministri Kurti dorëhiqet.

    Siç tha ai si parti s’janë të gatshëm që t’ia lehtësojnë Kurtit marrjen edhe të një mandati tjetër.

    “Nuk është se na kemi nevojë për kohë për ma shumë vota, nuk është ashtu, ne jemi të gatshëm nëse Kurti jep dorëheqje ne shkojmë në zgjedhje, por nuk jemi të gatshëm në asnjë mënyrë me ia lehtësu Kurtit me na e marr edhe një mandat, vetëm ky është problemi nuk ka asnjë arsye tjetër”, tha Haradinaj dje.

    Se pushteti është gati për zgjedhje, e kishte thënë Kurti dy javë më parë, por që sipas tij “opozita duhet të jetë gati”.

    “Opozita duhet të bëhet gati- ne jemi gjithmonë gati. Përndryshe, nëse ata janë rehat, na shkon mandati deri në fund. Për mua ka qenë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative sepse kemi shumë marrëveshje ndërkombëtare”, kishte deklaruar Kurti.

    Për shpërndarjen e një legjislature në Kuvend nevojiten 2/3 e votave. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!