×
  • Lajme
  • Lajme

    Rama: Nuk i kam dhënë shpjegime Thaçit e Kurtit për takimin e Ohrit

    Reporteri
    13 Nëntor 2019 | 10:56

    Kryeministri Edi Rama flet me doza kritike për qëndrimet e Albin Kurtit, i cili ka thënë se takimi i Ohrit të cilin e bojkotoi Kosova është iniciativë e nxituar dhe e pa konsultuar.


    Kryeministri Rama kërkon më shumë vëmendje për këtë çështje nga kryeministri i ardhshëm i Kosovës, të cilit i kërkon të shikojë dosjen e bashkimit doganor Shqipëri-Kosovë se përse asnjëherë nuk u bë realitet.

    “E nxituar, ka 5 vjet kjo iniciativë dhe marrja përsipër e nismës mes të tre vendeve për ta shtyrë iniciativën përpara duke mos shtuar asgjë tjetër të re nga dokumentet përmbajtësore të iniciativës përveç lëvizjes së lirë të njerëzve që ka qenë një betejë e gjatë e imja me presidentin e Serbisë dhe ku më në fund ai është dakordësuar gjë që na jep mundësinë të heqim kufirin me Kosovën. Nuk ka absolutisht asgjë tjetër, pra çfarë nxitimi ka këtu. Përsa i përket konsultimit në 5 vjet rresht Kosova ka qenë e pranishme në tryezë, në 5 vjet rresht kryeministrat dhe presidenti i Kosovës janë shprehur dakord me gjithçka që sot ne duam të implementojmë, të zbatojmë, të konkretizojmë jo për vete po për njerëzit tanë. Besoj që nëse ka vend për fjalën konsultë këtu, konsultohet ai që merr përsipër ose vendos të mos vij, jo ai që do shkoj siç të gjithë kanë shkuar. Pra nëse në një moment të caktuar dikush vendos që unë nuk do shkoj atëherë merr në telefon dhe thotë unë nuk do shkoj, tregon arsyet dhe nëse arsyet janë bindëse atëherë sigurisht që JO-ja mund të bëhet e përbashkët. Nëse nuk janë bindëse ai që thotë JO rri me JO-në, ai që thotë PO vazhdon me PO-në”, ka deklaruar Rama në një intervistë për TCH.

    I pyetur se a ka pasur kontakte me presidentin Hashim Thaçin dhe Albin Kurtin për t’ia shpjeguar atë çfarë ndodhi në Ohër, Rama ka thënë jo.

    “Nuk kam pasur sepse nuk mendoj se për të dy miqtë dhe kolegët, nëse mund t’i quaj kështu, nuk ka asgjë për të shpjeguar. Ata e dinë shumë mirë për çfarë bëhet fjalë dhe e dinë shumë mirë edhe të gjithë arsyetimin tim. Albinit ia kam arsyetuar gjerë e gjatë Pse-në e rëndësisë madhore të këtij procesi. Tani, nëse ai nuk e kupton, do çuditesha shumë, sepse është mjaftueshëm inteligjent. Nëse bën sikur nuk e kupton, apo nuk do ta kuptojë, pastaj kjo është zgjedhja e tij. Por duket si politikë e jashtme, në raport me Shqipërinë, për punë të brendshme dhe nuk besoj që kjo është më e mira. Megjithatë do kemi kohë dhe mundësi të tjera për t’i diskutuar dhe për t’i thelluar diskutimet”, ka deklaruar Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!