×
  • Lajme
  • Lajme

    Supremja refuzon ankesën e gjyqtarit Driton Muharremaj lidhur me degradimin në pozitë

    Reporteri
    24 Dhjetor 2021 | 15:19

    Gjykata Supreme e ka refuzuar ankesën e gjyqtarit Driton Muharremaj të ushtruar kundër vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për shkak të shqiptimit të masës disiplinore “Transferim i përhershëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm”.

    Kolegji i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur më datë 20 dhjetor “ka vlerësuar se qëndrimi dhe përfundimi juridik i KGJK-së, është i drejtë dhe i ligjshëm, dhe se masa disiplinore e shqiptuar është proporcionale me shkeljen e konsumuar”.

    “Gjykata Supreme përmes vendimit të saj AA nr. 85/2021 konsideron se është zbatuar procedura e paraparë sipas ligjit në fuqi dhe masa e dhënë është në përputhje me parimin e proporcionalitetit duke marrë parasysh: seriozitetin e shkeljeve disiplinore të kryera nga gjyqtari, pasojat e shkeljes disiplinore dhe rrethanat në të cilat është kryer shkelja disiplinore”, thuhet në komunikatën për media të Supremes.

    Driton Muharremi, gjykatës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dhënë dorëheqjen e tij nga sistemi gjyqësor të premten pasi që ishte i pakënaqur me vendimin për transferimin e tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    “Kam kontribuar për 20 vjet në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe jam thellësisht i zhgënjyer me vendimin e Këshillit Gjyqësor për transferimin tim në Gjykatën Themelore, sepse është vendim skandaloz dhe i pabazuar. Prej sot për mua fillon një kapitull i ri në jetën time profesionale dhe akademike”, ka thënë Muharremi për “Betimi për Drejtësi”.

    Më 6 gusht të këtij viti, Muharremi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës “me të vetmin qëllim që institucioni i KGJK-së të mbetet i pa kontestuar jo vetëm për publikun, por edhe nga grupet e interesit që kanë tendenca të ndërhyrjes në sistemin gjyqësor”.

    Kjo dorëheqje e tij kishte ardhur pas publikimit të disa audio-incizimeve, ku Muharremi dëgjohej duke biseduar me një person që i ishte konfiskuar vetura, dhe në këtë rast, i njëjti kishte kërkuar nga gjyqtari Muharremi të intervenojë për t’ia liruar veturën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!