×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri: Qeveria e ka përkrahjen e PDK-së në çështjen e targave, nëse respektohet sovraniteti i vendit

    Reporteri
    25 Tetor 2022 | 12:14

    Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri në një konferencë për media ka thënë se “secili veprim të cilin e ndërmerr Qeveria e Republikës së Kosovës në çështjen e targave e që respekton sovranitetin e vendit, e ka përkrahjen e kësaj partie”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Tahiri gjithashtu tha se është e rëndësishme që të ketë edhe koordinim me ShBA-në, mirëpo ky koordinim duhet të rezultojë me respektimin e sovranitetit të Kosovës.

    “Secili veprim i Qeverisë së Republikës së Kosovës që do të ndërmerret në raport me Republikën e Serbisë, padyshim që është shumë e rëndësishme që të koordinohet me ShBA-në, mirëpo mbi të gjitha, më e rëndësishmja është që ky koordinim të rezultojë me respektimin e sovranitetin e Kosovës. Nuk mund të lejohet pafundësisht shfrytëzimi i targave të tilla dhe besoj që çfarëdo veprimi të cilin e ndërmerr Qeveria e Republikës së Kosovës, që respekton sovranitetin e vendit tonë edhe në atë pjesë të Kosovës, padyshim që ka përkrahjen e PDK-së”, tha Tahiri.

    Sot, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka konfirmuar se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat.

    Këto Kurti e ka bërë të ditur në një adresim para gazetarëve.

    “Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje më 31 korrik. E kemi shtyrë për një muaj dhe në vend se të jetë më 1 tetor është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, tha Kurti./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!