×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi befason: Diplomatë të ulët po ofrojnë liberalizimin për heqjen e taksës, duan ta ndajnë Kosovën

    Reporteri
    15 Maj 2019 | 20:28

    Hashim Thaçi nga opozita është kritikuar tej mase se me planin e tij për “korrigjimin e kufijve” po rrezikon ndarjen e vendit, çka është mohuar kategorikisht nga presidenti.


    Por ky i fundit përveç çështjes së kufijve ditëve të fundit ka folur jo pak edhe për çështjen e taksës ku është bërë “patriot” i kësaj teme duke thënë se ajo nuk do hiqet.

    Presidenti së fundmi ka hedhur akuza ndaj siç i ka quajtur ai “diplomatëve të rangut të ulët”, për siç thotë po lobojnë për heqjen e taksës në këmbim të vizave dhe po bëjnë plane sipas tij për Asociacion me kompetenca ekzekutive, shkruan Reporteri.net.

    Ajo ndërsa nuk jep emra se kush janë “diplomatët e rangut të ulët”, thotë se projektet e tilla janë të turpshme dhe të papranueshme dhe se Kosova është një dhe e pandashme.

    Postimi i plotë i Thaçit:

    Bredhja turistike e disa diplomatëve të rangut të ulët fshehtas nga një kënd në këndin tjetër të Prishtinës, nga një zyrë në zyrën tjetër të institucioneve vendore, duke lobuar për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë në këmbim të liberalizimit të vizave, është fyerje e radhës për institucionet dhe qytetarët e Kosovës.

    Kjo ofertë hileqare dhe diskriminuese e tyre dhe planet për asociacion me kompetenca ekzekutive apo projekti “kreativ” për sovranitet të dyfishtë, nuk janë asgjë tjetër përveç opsione me qëllim përfundimtar për ndarje të Kosovës.

    Këto projekte janë të turpshme dhe si të tilla plotësisht të papranueshme, sot dhe gjithmonë. Kosova është një dhe e pandashme. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!