×
  • Lajme
  • Lajme

    Vendimi për rinumërimin e 1472 votimeve e zgjat çertifikimin e zgjedhjeve për rreth tri javë

    Reporteri
    12 Nëntor 2019 | 15:01

    Edhe pse zgjedhjet e 6 tetorit nuk evidentuan shumë parregullësi dhe u cilësuan ndër më të mirat të mbajtura ndonjëherë në Kosovë, ankesat e shumta sidomos për votat me postë nga diaspora dhe ato të serbëve, kanë bërë që të zgjatet procesi i çertifikimit të tyre.


    Së fundi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim për rinumërimin edhe të 1472 vendvotimeve, dhe kjo bën që procesi i çertifikimit të zgjedhjeve të zgjatet edhe më tej.

    Reporteri.net, nga burime brenda KQZ’së, mëson se rinumërimi i këtyre votave, pritet të marrë më shumë se dy javë kohë, dhe në këtë formë të zgjasë çertifikimin diku edhe rreth tri javë.

    Nga rinumërimet e vendvotimeve të kaluara të këtyre zgjedhjeve, Reporteri.net mëson se ekipet e numëruesve të votave kanë arritur që brenda 24 orëve të numërojnë mesatarisht 80 vendvotime.

    Nëse merret kjo mesatare atëherë do të duhen 18 ditë për rinumërimin e 1472 vendvotimeve. Megjithatë, Reporteri.net mëson se KQZ po planifikon rritjen e numrit të personelit, në mënyrë që mesatarja e numërimit të vendvotimeve të shkojë diku 120 vendvotime brenda 24 orëve. Kjo do të shkurtonte pak kohën deri në përfundimin e këtij procesi, por sërish do të duheshin 12 ditë, apo rreth dy javë deri në rinumërimin e të gjitha këtyre vendvotimeve.

    Kjo kjo rezulton, se duke pasur parasysh edhe procedurat tjera, deri te certifikimi i zgjedhjeve KQZ’së do t’i duhen rreth tri javë.

    Tek pas kësaj do të duhej të fillonin procedurat për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, dhe pastaj votimin e qeverisë. Si rezultat, institucionet e reja qeveritare nuk pritet të formohen deri në gjysmën e muajit dhjetor të këtij viti. /reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!