×
  • Lajme
  • Lajme

    VV-ja mori leje për protestë e nesërme ku do të jenë rreth 5 mijë persona

    Reporteri
    27 Maj 2020 | 15:05

    Lëvizja Vetëvendosje që udhëhiqet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nesër do të bëjnë edhe një provë për protestë në shesh të Prishtinës, të cilën po e quajnë performancë.


    Kësaj here në të do të marrin pjesë deri në 5 mijë persona, kurse siç kanë thënë nga VV protesta do të vëzhgohet nga 200 aktivistë të saj.

    Protesta e VV-së ndërlidhet me një vendim të mundshëm të Gjykatës Kushtetuese, që do t’i jepte të drejtë LDK-së për formimin e qeverisë, e që VV po kërkon me ngulm që të shkohet në zgjedhje të reja.

    Gazeta Online “Reporteri.net” ka pyetur Policinë e Kosovës se a ka marrë leje VV për mbajtjen e kësaj proteste dhe a është lejuar ajo.

    Nga Policia kanë konfirmuar po ashtu se tubimi është paralajmëruar nga Vetëvendosje.
    “Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor, siç është lajmëruar edhe kjo performancë/tubim”, ka thënë Policia e Kosovës përmes një përgjigje me shkrim për Reporterin.

    Policia thotë se do të ndërmarrë të gjithë veprimet e saja konform Kushtetutës së Kosovës, për menaxhimin e situatës në këtë tubim.

    “Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe vendimeve të institucioneve kompetente për menaxhimin e situatës në këtë kohë të pandemisë COVID-19, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet, masat dhe kufizimet e parapara ndaj pandemisë”, kanë thënë nga Zyra për media e Policisë së Kosovës.

    Kujtojmë se Kurti ka mohuar sot se lehtësimi i kufizimit të masave ka të bëjë me përgatitjen e terrenit për protesta duke thënë se protesta është e drejtë e qytetarëve.

    Kjo provë për protestë pritet që të fillojë nga ora 17:00 deri në orën 19:00, derisa, në një letër që është publikuar në media thuhet se pjesëmarrësit do të realizojnë një ‘performancë’ në sheshet ‘Skenderbeu’, ‘Ibrahim Rugova’ dhe ‘Adem Jashari’. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!