×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Një grua vdiq në Himarë pasi u rrëmbye nga dallgët e detit, flet i mbijetuari: Gjithçka ndodhi në 10 minuta

    Reporteri
    05 Gusht 2020 | 13:26

    Policia Kufitare dhe roja bregdetare në Himarë kanë shpëtuar tre shtetas, të cilët rrezikuan të mbyteshin në det, ndërsa një grua ka humbur jetën.


    Përpjekjet e Policisë për ta gjetur të gjallë gruan, që u rrëmbye nga dallgët e detit në Himarë kanë rezultuar pa sukses.

    Ata kishin dalë për peshkim me një mjet të vogël lundrues, i cili nga era e fortë dhe nga dallgët u përmbys në det. Personat e shpëtuar u dërguan në Jalë dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

    Njëri nga të mbijetuarit, Fation Resulaj ka folur për mediat, ndërsa tha se gjithçka ka ndodhur brenda dhjetë minutash.

    Ai theksoi se bashkë me tre personat e tjera kishin hyrë në det për të ngritur rrjetat e peshkimit, por kjo përpjekje e tyre gati rezultoi tragjike.

    “Jemi nisur sot në orën 6 nga moli i Himarës dhe vajtëm për të ngritur rrjetat e peshkimit. Ishte koha shumë e bukur, shumë e qetë. Kemi bërë dhjetë minuta rrugë me anije për të arritur deri tek rrjetat, dhe aty ka ardhur një stuhi e madhe, një ciklon me shi dhe e përmbysi varkën. Kur e pamë ne ishte vonë. Ishim katër persona në varkë. Ishim shoku im, bashkë me djalin dhe me nusen. Anija u përmbys nga era, nga stuhia. Zonja është në det akoma. Pasi u përmbys anija, ne u mbajtëm tek anija fort. Djali u përpoq që të shpëtonte nënën, edhe ne, por situata ishte e rëndë shumë. Kemi bërë 5 kilometra rrugë dhe donim që ta shpëtonim, por ishte shumë e vështirë, mund të na rrëmbente rryma edhe neve”, tha ai.

    Shqipëria mëngjesin e sotëm u përfshi nga reshje të dendura shiu dhe stuhi të forta, të cilat shkaktuan pasoja të shumta materiale, kryesisht në zonat bregdetare.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!