×
  • Sport
  • Sport

    Kreu i FFK-së, Agim Ademi nuk është në dijeni se sajti për shitjen e biletave është bllokuar

    Reporteri
    12 Nëntor 2019 | 18:45

    Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka deklaruar për Gazetën Sinjali se nuk është në dijeni lidhur me bllokimin e sajtit dhe të sistemit të shitjes së biletave për ndeshjen mes Kosovës dhë Anglisë që pritet të zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.


    Sajti që ofron blerjen zyrtare të biletave ka rënë nga funksioni disa minuta para orës 16:00 kur pritej të fillonte shitja e biletave për ndeshjen kualifikuese për kampionatin evropian në futboll.

    Ndonëse sajti nuk është i qasshëm për disa orë, kreu i FFK-së, kur pyetet për këtë çështje përgjigjet me tone nervozizmi se nuk di gjë për këtë punë.

    “Nuk e di që është blloku sistemi. Në bazë të çkafit ti po e verteton që është blloku? Dikush i ka ble ato. Ato janë me emër kush i blen. Mund t`i blen dikush mund edhe të bllokohet ku ta di unë, veç nuk ma merr mendja”, thekson Ademi.

    Madje krue i FFK-së shkon edhe më tutje në mohimin e gjendjes me të cilën janë përballur qindra e mijëra të interesuar për blerjen e biletave online, duke thënë se ka qenë vetë dëshmitar i blerjes së biletave.

    “Qitu ka bileta që blejnë. Këtu jam me lojtarë dhe blejtën bileta. Ata kanë ble o burrë t`i po thu s`po munden me u qasë, ata njerëzit po blejnë. Ndoshta edhe smundet tash ku e di. Çka me të thonë unë kur s`jam te sistemi o burrë.”, thekson Ademi duke mos e ndjerë vetën përgjegjës për dështimin për të satën herë me radhë të sistemit të shitjes së biletave nga kompania Tiks.app e kontraktuar prej FFK-së të cilën ai e drejton.

    “O burrë fol me ata që janë. Kontrata është diçka tjetër e sistemi diçka tjetër. Nuk jam ekspert i sistemit por fol me ta të lutna. Fol me ta se unë s`di. Është mirë me u deklaru njerëzit që janë kompetentë për këtë punë. Mos me u deklaru unë pavarësisht që jam kryetar i federatës mos me u deklaru për këtë punë që është e dikujt që është ekspert.”, thekson Ademi për Gazetën Sinjali.

    Përkundër shpërthimit të pakënaqësive gjithandej në rrjetet sociale lidhur me bllokimin e sajtit të shitjes së biletave dhe problemeve të shfaqura në vazhdimësi me sistemin online, Ademi mohon mundësinë e keqpërdorimeve në këtë sistem.

    “Sistemi online është i sofistikuar allahile. Ajo dihet. Pse po thoni që këtu ka pasë probleme. Cilat probleme? Që ska mujt dikush me marr bileta ka pasë probleme a cka. “Ja, ja, ja nuk ma marr mendja që është ajo. Është i bllokuar se njerëzit janë hi edhe i kanë blloku karrigat. Ata i blejnë tash ose nuk i blejnë . Ata që s`mun i blejnë lirohen.”

    Kjo nuk është hera e parë që kompania e kontraktuar nga Federata e Futbollit të Kosovës ka rënë nga sistemi duke mos u mundësuar qytetarëve qasje në blerjen e biletave. Ndërkohë që kreu i FFK-së nuk e sheh si të arsyeshme rishqyrtimin e kontratës me këtë kompani dhe shikimin e alternativave të tjera.

    “Nëse ka dështim jep llogari. Por kompania është e kontraktuar që nga fillimi nuk është që e kemi personalisht kompani që e kemi tonën. Është kompani që punon me kontratë me neve. Është e kontraktume nuk është pjesë e federatës por është kompani kontraktuese. Ajo duhet me ju përmbajtë kontratës”

    Pas orës 16:00, kompania e autorizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës për shitjen e biletave tiks.app ka njoftuar se bllokimi I sajtit ka ndodhur për shkak të mbingarkesës. Por, Tiks.app përkundeër paralajmërimit se faqja do të rikthehet në funksion së shpejti, kjo nuk ka ndodhur për disa orë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!