Përshkrimi për tre kandidatët: Tiparet e forta dhe të dobëta

Kosova do të zgjedh kryeministrin e vet të dielën mes tri profileve goxha të ndryshme. Si asnjëherë më parë gara ka qenë tepër e fortë dhe me përballje mes krahëve e ideologjive të ndryshme politike në vend.

Por cilat janë disa nga tiparet, që pak a shumë i karakterizojnë secilin kandidat për kryeministër kur e dimë se beteja kryesisht po zhvillohet në tri pika kryesore:

Siguria e vendit.

Zhvillimi ekonomik dhe

Integrimi Evropian ku hyjnë demarkacioni dhe liberalizimi i vizave.

Ramush Haradinaj – hyri në skenën politike 17 vjet më parë, pra në vitin 2000. 100-ditëshi i tij mbetet një rrëfim i fortë për të dhe përkrahësit e tij. Thuhej se këto ditë ishin karakterizuar me një energji të jashtëzakonshme të punës, duke nisur e kryer goxha do procese të asaj kohe.

Haradinaj njihet si menaxher i rreptë, që kërkon përgjegjësi dhe përveç kësaj i guximshëm për të marrë vendime të vështira. Por ajo që gjithmonë njerëzit ia vlerësojnë dhe ia njohin është dashuria për vendin dhe kontributi në luftë. Haradinaj ka humbur në betejat e luftës dy vëllezërit e tij dhe vet është përballur me gjyqe të shumta.

Tipari i tij i dobët është se udhëheq një parti me kryesisht me familjarë dhe miq të ngushtë. Arma e tij e forte është guximi.

Avdullah Hoti – iu përvesh politikës si këshilltar para 10 vitesh për të qenë personaliteti politik më i ri në këtë mes. Hoti është një teknokrat që i ka qëndruar Isa Mustafes pranë shumë gjatë, si në qeverisjen në Prishtinë, ashtu edhe në atë qendrore.

Vlerësohet si ekonomist i mirë, dhe puna e tij si Ministër i Financave është suksesi në të cilin Isa Mustafa e bazon pothuajse gjithë anën pozitive të qeverisjes së tij.

Armë e tij e fortë llogaritet edhe fakti se nuk i përket gjeneratës së luftës, por është një figurë e re dhe ndryshe.

Gjithsesi, prania e tij e afërt tek Isa Mustafa dhe mungesa e karizmes e dobësojnë atë në përballje me kandidatet tjerë. Arma e tij më e fort është ekonomia.

Albin Kurti – është fytyra më e konsumuar politike, ndonëse më i riu në moshë prej të treve, ai u shqua si fytyrë publike që nga viti 1997.

Kurti është një teoricien i mirë por i paprovuar në menaxhim. Kurti kishte braktisur UCK-në duke mos u pajtuar me marrëveshjen e Rambujes dhe më pas kishte përfunduar në burg në Serbi.

Kur u kthye hapi një organizatë joqeveritare që fliste për bashkëjetesë mes serbëve dhe shqiptarëve. Por çuditërisht u radikalizua dhe sot udhëheq nga secili pozicion partinë e tij, që njihet për veprime radikale kundër procese të ndryshme.

Duke qenë një teoricien i mirë, ai ka shumë njohuri të fushave të ndryshme kundrejt kandidatëve të tij. Pretendon  konsistencë në qëndrime, por i ka ndryshuar disa herë ato, para apo pas zgjedhjeve.

Arma e tij e fortë është teoria mbi – ‘bashkimin kombëtar’, të cilën gjatë kësaj fushate e ka lënë anash dhe nuk po e përmend fare.

Ai tani më shumë po mundohet të flirtojë me elektoratin konservativ mysliman. /gazetametro.net

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s'kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.