×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadori gjerman në Serbi: Bombardimi i Jugosllavisë në vitin 1999 i nevojshëm, ishin shterrur të gjitha mjetet diplomatike

    Reporteri
    07 Prill 2021 | 22:38

    Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Thomas Schieb tha se bombardimi i Jugosllavisë në vitin 1999 ishte një çështje e diskutueshme, por ishte i nevojshëm një reagim, sepse duhej të parandalohej katastrofa humanitare dhe gjenocidi në Kosovë.

    “Unë jam i vetëdijshëm se kjo është një çështje e diskutueshme dhe se nuk kishte asnjë vendim të Këshillit të Sigurimit të KB (për fillimin e veprimit ushtarak). Por duhej marrë një vendim, qëllimi ishte të shmangej një katastrofë humanitare, të shmangej gjenocidi”, ka thënë Schieb për Radio Televizionin e Vojvodinës, transmeton Gazeta Online “Reporteri”.

    Schieb tha se bombardimet ishin shumë të vështira për Serbinë, por nuk duhet harruar se ato nuk ndodhën rastësisht.

    “Problemi ishte gjetja e një zgjidhjeje për Kosovën, të gjitha mjetet diplomatike ishin përdorur më parë.”

    “Të gjithë janë dakord që problemi i Kosovës duhet të zgjidhet, kjo do të ishte në të mirë të Serbisë, Kosovës dhe rajonit”, tha Schieb.

    I pyetur nëse Gjermania mund të mohojë mbështetjen për Serbinë në rrugën e saj evropiane nëse Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Schieb tha se “është më shumë se një pyetje hipotetike dhe se nuk dëshiron të jetë kaq pesimist.

    “Shpresojmë që dy palët të jenë konstruktive. negociatat nuk mund të përfundojnë pozitivisht nëse nuk ka besim dhe atmosferë të mirë. Ne u bëjmë thirrje të dy palëve të shmangin deklaratat që mund të përkeqësojnë atmosferën dhe ta bëjnë të vështirë arritjen e një kompromisi”, tha diplomati gjerman.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!