×
  • Lajme
  • Lajme

    Arsyetohet Lajçak për hartën ku nuk figuronte kufiri i Kosovës: U keqkuptua, është hartë zyrtare e BE-së, vija ndarëse është aty

    Reporteri
    25 Shkurt 2021 | 19:13

    I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka reaguar rreth çështjes së hartës e cila u shfaq në zyrën e tij, ku Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë.


    Sipas Lajçak, në këtë hartë Kosova është e ndarë nga Serbia.

    Kështu shkruan ai në Twitter, ku edhe ka publikuar disa fotografi më afër hartës.

    “Pasi harta në zyrën time është nxjerrë gjatë intervistës sime dhe është e paqartë, ka shkaktuar disa keqkuptime sot, unë po ndaj një foto të afërt të saj. Kjo është një hartë zyrtare e BE e Ballkanit Perëndimor. Kosova është atje dhe po ashtu është linja që ndan Kosovën nga Serbia”, thekson Lajçak.


    Emisari sllovak, Miroslav Lajcak, më 22 shkurt të këtij viti ka dhënë një intervistë për mediumin “European Western Balkans”, ku ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Prapavija nga ku e jep këtë intervistë nuk dihet nëse është zyra e tij, apo ndonjë ambient në Bruksel, megjithatë krahas flamurit të BE’së shihet një hartë ku paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.

    Ndryshe, pas raportimeve për këtë hartë kanë reaguar edhe nga BE-ja.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se pretendimet rreth hartës janë të pavenda.

    “Pretendimi në lidhje me hartën është plotësisht i gabuar dhe i rremë. Kjo hartë zyrtare e BE-së është përputhje me pozicionin e Bashkimit Evropian- statusi neutral. Unë do të rekomandoja të gjithë të përqendrohen në çështje reale që ndihmojnë në avancimin e dialogut për normalizimin e raporteve, në vend të përpjekjeve që të krijohen storie të rreme”, shkruan Stano në Twitter.

    Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.

    Kryediplomatja Haradinaj ka shkruar se i ka dërguar një hartë të saktë të Ballkanit Perëdimor Emisarit Lajcak.

    “Hartat kanë rëndësi! Kuptova se ke nevojë për një hartë të saktë të ËB6 (gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor), prandaj ta dërgova një me korrier diplomatik. Të punosh me harta të zombive është tërësisht joprofesionale, së këndejmi e mangët. Sa më gjatë që e shmang hartën që ta bëra dhuratë, aq më gjatë puna jote do të jetë dështim” ka shkruar Haradinaj-Stublla.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!