×
  • Lajme
  • Botë

    Kremlini paralajmëron më të keqen pas përkeqësimit të vërshimeve në Rusi

    Reporteri
    09 Prill 2024 | 20:35

    Kremlini ka paralajmëruar për rritje të mëtejme të niveleve të ujit në disa rajone të shtetit, teksa dhjetëra mijëra rusë – dhe banorë të Kazakistanit fqinj – janë duke tentuar të shmangin ato që mund të jenë vërshimet më të këqija në dekada, për shkak se temperaturat e larta janë duke shkrirë borën më shpejt sesa zakonisht.

    Më shumë se 10.000 shtëpi tashmë janë vërshuar nga uji që ka rrjedhur prej Maleve Ural dhe atyre në Siberi, prandaj mijëra njerëz janë në rrezik, sipas zyrtarëve lokalë.

    Në veri të Kazakistanit, situata është thënë të jetë edhe më e rëndë, pasi mbi 86.000 njerëz janë evakuuar.

    Shumë rajone në të dyja shtetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

    “Ditë të vështira kemi përpara”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov më 9 prill.

    “Do të ketë shumë ujë”.

    Peskov ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin ka zhvilluar biseda telefonike me homologun e tij kazak, Qasym-Zhomart Toqaev, për të diskutuar përpjekjet e përbashkëta për të menaxhuar situatën.

    Në Rusi, situata më e rënduar besohet se është në rajonin Orenburg, pasi një digë lokale është dëmtuar rëndë tri herë radhazi në qytetin Orsk prej 5 prillit.

    Të paktën pesë persona kanë vdekur nga vërshimet, ndërsa më 8 prill banorët kanë kërkuar që autoritetet lokale të bëjnë më shumë, si dhe kanë kërkuar intervenimin e Putinit në këtë situatë.

    Peskov u ka thënë gazetarëve më 9 prill se Putin nuk planifikon të vizitojë Orenburgun aktualisht, por që presidenti rus është duke e vëzhguar situatën./Radio Evropa e Lirë 

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!