Haradinaj përfundon intervistimin në Hagë, jep detajet e para

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, sapo ka përfunduar intervistimin nga prokurorët e Dhomave të Specializuara në Gjykatën Speciale, në Hagë.


Haradinaj tha se ka qenë i ftuar si i dyshuar derisa theksoi se nuk ia lejon këshilla ligjore që të japë detaje se për çfarë konkretisht është pyetur.

“E kam kryer obligimin ligjor, si i dyshuar. Kam pranuar këshillën ligjore që të mos përgjigjem për çka jam pyetur. Këto janë procedura ligjore jo për të fshehë diçka nga publiku, por meqë ligji nuk ma lejon… “, ka thënë Haradinaj duke shtuar se ende nuk e di rolin e tij se për çka është ftuar si person i dyshuar.

Nga Haga, kryeministri në largim ka folur edhe për dorëheqjen e tij.

“Arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë me nocionin e shtetit e sovranitetit. Nuk kam dashur ta sjell kryetarin e shtetit këtu. Meqenëse, shteti ka mbetur shtet dhe meqenëse nuk kam obligime do të kthehem si të gjithë kolegët tjerë në politikë, t’u ofrohem qytetarëve. E kam bërë atë që e kam vlerësuar të rëndësishme, sepse kryetari i Qeverisë kur del para hetuesve ka dalë Qeveria, shteti, duhet të kemi kujdes për këtë. Kam dhënë shembull të respektimit të ligjit. Nuk po jap leksione, e kam bërë detyrën time”, ka thënë Haradinaj.