×
  • Lajme
  • Lajme

    Iniciohet rast kundër Dodikut për mohim të gjenocidit në Srebrenicë

    Reporteri
    06 Mars 2023 | 17:24
    Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik

    Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës ka iniciuar një rast kundër presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, për mohim të gjenocidit, ka konfirmuar ky institucion për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas ligjit, pas inicimit të rastit, Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës kryen hetim, pas së cilit prokurori i rastit vendos nëse do të ngrehë aktakuzë.

    Pas kësaj procedure, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës konfirmon ose hedh poshtë aktakuzën.

    “Gjenocidi nuk ka ndodhur atje, të gjithë ne në Republikën Sërpska e dimë këtë”, tha Dodik gjatë një konference për media në Banja Llukë më 21 shkurt.

    Dodik këtë deklaratë e bëri lidhur me Srebrenicën, pasi Përfaqësuesi i Lartë më 21 shkurt miratoi ndryshimet e Ligjit për Qendrën Memoriale Srebrenica-Potoçari. Ndryshimet në këtë legjislacion mundësojnë që paratë që teprojnë nga fondet e dhuruara për varrimin dhe memorialet për viktimat të ridrejtohen për nevojat e tjera të funksionimit të kësaj qendre.

    Kjo nuk është hera e parë që Dodik e mohon gjenocidin që kur ish-përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Valentin Inzko, miratoi Ligjin për ndalimin e mohimit të gjenocidit në fund të korrikut 2021.

    Gjatë gjenocidit në Srebrenicë në korrik 1995, forcat e Ushtrisë së Republika Sërpska (VRS) vranë rreth 8.000 burra dhe djem në Srebrenicë dhe rrethinat e saj.

    Më shumë se 25.000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan nga zona, që atëbotë ishin nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara.

    Masakra është cilësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid.

    Sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnjë e Hercegovinës, mbi 1.200 viktima të masakrës së Srebrenicës mbeten ende të zhdukura.

    Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në gjenocid.

    Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!