×
  • Lajme
  • Lajme

    Kabashi tregon pse erdhi Lajçaku në Kosovë

    Reporteri
    25 Janar 2023 | 22:43
    Gazetari dhe drejtori i Gazetës Reporteri, Bekim Kabashi

    Drejtori i Gazetës Online Reporteri.net, Bekim Kabashi, konsideron se emisari i BE’së, Miroslav Lajçak, ka ardhur në Kosovë për t’ia dhënë Kurtit një përgjigje lidhur me shtetet e BE’së që s’e njohin Kosovën.

    Kabashi ka theksuar se ardhjes së Lajçakut në Kosovë i ka paraprirë një sërë takimesh me shtetet skeptike mosnjohëse ndaj Kosovës, çështje kjo që është thelbësore për progres të Kosovës drejt strukturave euro-atlantike, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ai e quan të drejtë faktin që Qeveria e Kosovës ka kërkuar me ngulm që si pjesë e propozimit evropian të jetë edhe njëfarë garancie që Kosova do të njihet nga këto shtete.

    “Lajçaku po vjen pas takimeve që i ka pasë me shtetet mosnjohëse. Kosova, një prej dilemave më të mëdha që e ka për me e pranu ose jo planin franko-gjerman, është se në këtë plan nuk shkruan që kanë me na njoftë neve 5 vendet që nuk e kanë njoftë Kosovën, por janë premtime të tilla që kur bëhet një marrëveshje Kosovë-Serbi, kanë me rrjedh natyrshëm, ka me u njoftë Kosova edhe prej pesë vendeve dhe ka me u avancu statusi i saj ndërkombëtar”, deklaroi Kabashi në Context të ATV’së.

    Tutje, Kabashi tha se kur arrihen këto pesë njohje, Kosovës do t’i hapen shumë rrugë.

    “Pra, Kosova ka me qenë një shtet, nëse jo anëtar i Kombeve të Bashkuara, i barabartë në këtë synimin e integrimit evropian por edhe atlantik. Katër nga pesë vendet që s’e kanë njoftë Kosovën si shtet janë në NATO. Pra, i hapet Kosovës rruga për me u anëtarësu në NATO dhe në Bashkim Evropian dhe është një shqetësim me të drejtë i zotit Kurti, i Qeverisë së Kosovës që duhet me pasë një garancë paraprake në këtë pjesë”.

    Ndaj, sipas Kabashit, Lajçak erdhi në Kosovë pikërisht për t’i treguar Kurtit lidhur me progresin që ka bërë te këto shtete, anipse tha se ndoshta një përgjigje definitive nuk ka mundur të sigurojë.

    “Dhe tash, në takimin e fundit që e kanë pasë me Lajçakun dhe ekipin e tij, sigurisht njëri prej shqetësimeve ka qenë edhe ky. Lajçak po besoj sot ia ka kthy një përgjigje zotit Kurti për këtë shqetësim. S’po thom që ka marrë pergjigje prej secilit shtet, kështu, decidivisht që kanë me njoftë Kosovën po sigurisht ka marrë garanci. Edhe ka logjikë, sepse nëse dy shtete, në njëfarë forme bëjnë një paqe… nuk ka arsye as kjo pesëshja skeptike e Bashkimit Evropian mos me njoftë Kosovën”, tha Kabashi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!